Muzika

Çfarë nostalgjie: Dikur, këto balada dashurie i bënë gjithë shqiptarët për të qarë!

20 Janar 2018

Çfarë nostalgjie: Dikur, këto balada dashurie i bënë

Koha e ka treguar që shqiptarët vdesin për balada. Aq më tepër kur baladat flasin për një ndarje a një dashuri të pamundur që me shumë gjasa të duket sikur s’do ta harrosh kurrë. Ndonëse në çdo kohë baladat nuk mungojnë, duket sikur peridha e tyre e artë ka qenë në vitet 2000.

Të gjithë papritur i këndonin një dashurie të përfunduar, një ndarjeje apo një kujtimi të largët. E bukura është se me shumë gjasa, me të gjitha ato që do të përmendim më poshte kemi qarë, ndonëse tani pyesim veten pse.

Fillojmë t’i kujtojmë pak?

Stine- Ishe ti (2006)

Ti mund të mos kishe jetuar kurrë një histori dashurie ose mund të ishe martuar me burrin e ëndrrave, por kur dëgjojë në sfond “Ishe ti”, asgjë nga këto s’kishte rëndësi. Përveçse e sigurtë që do qaje, seç e gjeje  veten në një botë fantazish me doza të tepruara melankolie. E di që po tundni kokën tani. Na ka ndodhur të gjithëve!

Flori dhe Soni Malaj- Fluturimi 3470 (2007)

Mund të mos kishe asnjë lidhje me baladën e famshme të Florit dhe Sonit, të cilët ishin çifi më i përfolur në ato vite, por “Fluturimi 3470” do të kthehej në baladën më të dhimbshme të dashurisë.

2 të dashuruar larg njëri-tjetrit. Kaq iu desh shqiprarëve, për të shkarkuar gjithë mallin që me fjalët e tyre s’e shprehnin dot. Balada bëri aq bujë sa ende dëgjohet sikur të kishte dalë sot!

Poni- Si trëndafil (2007)

Ja një version tjetër i ‘Ishe ti’. Sa kemi vuajtuar me këtë këngë! Ndoshta të dashur s’kishim, po ç’rëndësi ka! Dashuria platonike mund të mos e kishte haberin e ekzistencës sonë, por çdo rresht i dedikohej atij.

Soni Malaj- Ndarja (2006)

Me këtë këngë, gjërat u bënë shumë serioze. Çiftet nisën ta përjetonin kaq shumë, sa po mendonin ndarjen, që të paktën kënga të bënte sens edhe për ta. Nisje të fantazoje për një dashuri të dhimbshme, që do s’do do përfundonte me ndarje. Mos thoni që s’keni qarë, s’ua beson njeri!

Elvana Gjata- Dhe zemra ndal (2010)

Kujt nuk i kujtohet kjo këngë e performuar kaq me ndjenjë nga Elvana Gjata tek Kënga Magjike? Ishte e pashmangshme, e kuptoje që në vargun e parë që do qaje!

Anxhela Peristeri – Ishe mbret (2004)

Nuk ka asgjë, po asgjë që të bën të harrosh sa e ke përjetuar këtë këngë. Vitet mund të kalojnë, por gjithnjë do ta gjesh një moment për të dëgjuar ‘Ishe mbret’ dhe për të kujtuar atë maskarain që të vrau pafajsinë.

Greta Koçi dhe Erion Korini- Kush ka faj (2004)

Baladë nga koha kur Greta ishte vërtetë diçka më pak se 16-vjeç.

Produkt 28- Si herën e parë

Kjo baladë, bëri që djemtë e grupit të adhuroheshin nga gjithë vajzat asokohe. Nostalgjinë mund ta dallosh që në titull.

Gili dhe Enis Potoku- Kur u ndamë (2009)

Kjo ishte padyshim kënga simbol e ndarjes. Mund ta imagjinojmë sa ua kanë dedikuar.

Blero- Fotografia

Blero mund të nxjerrë super hite, por asnjëra s’do të mbahet mend ashtu si ‘Fotografia’.

Alban Skënderaj dhe Kthjellu- Diçka (2006)

Kësaj liste nuk mund t’i mungonte kurrsesi një nga baladat e çmuara të Albanit. Pas “Vetëm ti”, kjo këngë u bë e preferuara e gjithë të rinjve.

 

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.