Zelensky: “Kina po furnizon me armë Rusinë”
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, deklaroi se ka informacione që vërtetojnë se Kina po furnizon Rusinë me armë, duke përfshirë barut dhe artileri.
"Ne kemi marrë informacione se Kina po furnizon me armë Federatën Ruse. Dhe ne jemi të gatshëm të flasim për këtë në detaje. Sot kemi informacion nga shërbimi i sigurisë, nga inteligjenca, për barut, artileri."
Udhëheqësi ukrainas nuk dha detaje mbi llojin e armëve, por theksoi se Kievi do t'i zbulojë gjetjet e tij plotësisht javën e ardhshme.
Meloni: Trump do të vijë në Romë, takim i mundshëm me përfaqësuesit e BE-së
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, u takua me presidentin amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë. Në një takim dypalësh të zhvilluar në Zyrën Ovale, me dyer të mbyllura në dhomën e kabinetit, të dy liderët iu përgjigjën pyetjeve nga grupi i gazetarëve të Shtëpisë së Bardhë dhe gazetarëve italianë, duke rikonfirmuar mirëkuptimin dhe marrëdhënien e mirë mes dy vendeve.
Trump pranoi ftesën e Melonit për një vizitë zyrtare në Romë "në të ardhmen e afërt", për të rifilluar dialogun midis Uashingtonit dhe Brukselit. Meloni tha se presidenti amerikan gjatë vizitës së tij në Itali mund edhe të takohet edhe me përfaqësues të BE-së.
Për tarifat, të dy udhëheqësit thanë se kishin besim se mund të gjenin një marrëveshje të drejtë tregtare.
Gjykata e lartë e Rusisë heq emërtimin terrorist për talibanët e Afganistanit
Gjykata e Lartë e Rusisë ka hequr termin terrorist për talibanët që kanë pushtetin në Afganistan, një grup që u cilësua një organizatë terroriste më shumë se dy dekada më parë.
Kjo po shihet si një fitore diplomatike për talibanët, të cilët u futën në listën e organizatave terroriste të Moskës në 2003, duke e bërë çdo kontakt me ta të dënueshëm me ligj.
Paralelisht me këtë, delegacionet talebane kanë marrë pjesë në forume të ndryshme të organizuara nga Rusia, ndërsa Moska është përpjekur të pozicionohet si një ndërmjetës i fuqisë rajonale.
Hamasi refuzon ofertën e Izraelit për armëpushim
Hamasi ka refuzuar zyrtarisht ofertën e fundit të Izraelit për armëpushim, duke thënë se është i gatshëm të negociojë vetëm një marrëveshje që do të sillte lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura, në këmbim të përfundimit të luftës dhe lirimit të të burgosurve palestinezë.
Në një deklaratë, kryenegociatori i Hamasit, Khalil al-Hayya, tha:
"Ne nuk do të pranojmë marrëveshje të pjesshme që i shërbejnë axhendës politike të [kryeministrit izraelit Benjamin] Netanyahu".
Oferta e fundit e Izraelit përfshinte një armëpushim 45-ditor në këmbim të lirimit të 10 pengjeve.