Mustafa Nano i ka kushtuar një hapsirë të konsiderueshme në emisionin e tij “Provokacija”, provokimit që vajzat e ekranit bëjnë me veshjen e tyre në studio televizive. Nano është ndalur konkretisht tek moderatoret sportive, Bora Zemani dhe Ilda Bejleri, duke kritikuar stilin e tyre në ekran, madje duke e shoqëruar edhe me pamje.
Ai e nis diskutimin me rastin e Bora Zemanit, që kishte veshur një fustan tepër të shkurtër, duke ngacmuar imagjinatën e teleshikuesve. Nano vijoi duke e krahasuar situatën e krijuar me skenën e famshme të filmit ‘Basic Instict’, ku Sharon Stone pa të mbathura kryqëzon këmbët para policëve.
“Vajza që po shihni në ekranin e studios quhet Bora Zemani dhe është moderatore e një programi televiziv sportiv në SuperSport... Prapa shpinës së Bora Zemanit është një ndenjëse, është ndenjësja e moderatores dhe unë jam i sigurt që momentin që Bora Zemani do të tentojë të ulet në ndenjësen e vet, sytë e të ftuarve në studio, sytë e panelistëve që janë ftuar aty për të komentuar eventin futbollistik të radhës, do të përqëndrohen te zona ku fundi i fustanit të shkurtër të Borës takohet me këmbët e gjata të bukura, të drejta, të cilat me siguri do të kryqëzohen në stilin e Sharon Stone në filmin “Basic Instinct”.
Ju kujtohen pamjet e atyre policëve, e aktorëve në rolin e policëve? Fytyrat e tyre ishin të shkrehura, të ngrira, të topitura. Ata ishin pa gojë! Ja kështu i përfytyroj edhe unë të ftuarit e programit të Bora Zemanit, teksa kjo e fundit ulet në ndenjësen e vet dhe teksa fundi i fustanit të shkurtër bën vaki që t’i bëjë ndonjë lojë tinëzare, të pabesë dhe të zbulojë kodin sekret të “bombës nukleare”. Ka diçka që nuk shkon në këtë histori”, monologon Nano, për të vazhduar me Ilda Bejlerin. I indinjuar nga veshja e saj në një nga edicionet e ‘Zona Gol’, gazetari thotë se fustani i saj i ngushtë si këmishë nate nuk mund të jetë kurrsesi dinjitoz për t’u veshur në emision.
“Veshja e Ilda Bejlerit ishte e trishtueshme, ishte vulgare, ishte e pashijshme. Gati-gati ishte fyese. Një fustan si këmishë nate shumë i shkurtër, shumë i ngjitur pas trupit, tmerrësisht i ngjitur pas trupit. Aq sa unë po mendoja se ajo copa e fustanit ishte e futur në mish, gjinjtë që kishin kërcyer përpara në mënyrë të panatyrshme, aq sa unë po mendoja që ato gjinj ishin duke shpuar ekranin dhe do binin në shtëpinë time, në dhomën e ndenjies.”
Ai është i bindur se vajzat e ekranit shpenozjnë një pjesë të madhe të kohës para emisionit për të zgjedhur veshje provokuese, për të shpërqëndruar audiencën nga objekti i vërtetë i diskutimit.
“Kjo nuk është veshje televizive. Një moderatore televizive, sipas meje, nuk duhet të vishet në këtë mënyrë. Dhe këtë po ua thotë një burrë që nuk e ka problem fare një vajzë gjysmë të zhveshur, që nuk e ka problem fare nuditetin femëror. Përkundrazi, gjëja më e bukur që unë kam parë në jetën time është një nudo femërore. Duhet të jenë të shumtë në këtë botë burrat si unë. Ne duam që ta shijojmë një nudo femërore në rrethana të tjera. Ne duam ta shijojmë një nudo femërore në fotografitë e bëra nga Helmut Njuton. Por jo në një studio televizive ku flitet për futboll, sepse një studio televizive është një studio televizive. Nuk është një lokal ku bëhet striptizë! Ky ishte monologu që unë kisha përgatitur për sonte”, mbyll monologun e tij gazetari Mustafa Nano.