Duke qenë një njeri që i dua kafshët gjithmonë kam menduar se shtëpia ime do ishte e mbushur me to. Në pamundësi për të krijuar një “mini xhungël” në shtëpi e vendosa veten time para një sfide. Të merrja dhe të mundësoja bashkëjetesën e lumtur të një qeni dhe një maceje. Le të tingëllojë kjo e thjeshtë apo e vështirë, unë ja dola. Tashmë dy vajzat e mija janë mëse të lumtura në shoqërinë e njëra tjetrës.
Në atë kohë qenushja ime Noir sapo kishte mbushur 3 muaj dhe unë vendosa të adoptoja motrën e saj, Elf e cila ishte një mace po 3 muajshe. Nuk e kisha menduar kurrë se sa impenjative do të rezultonte kjo. Të rrisësh një qen dhe një mace nuk është aspak e lehtë, por pa dyshim që është një ekperiencë të cilën do ta kisha bërë edhe një mijë herë të tjera. Ato të dyja tashmë janë “vajzat e mija” por rruga që Noir dhe Elf të bëheshin “motra” ishte sa gazmore aq edhe zhgënjyese. E megjithatë në këtë shkrim kam marrë përsipër t’ju tregoj vetëm disa truke të cilat do t’ju ndihmojnë nëse një ditë vendosni të mbani në shtëpi një qen dhe një mace.
1. Shmangni kontaktin sy më sy
Mos u mundoni më kot që qenin dhe macen t’i afroni që në fillim. Sapo të mësohen kanë për ta krijuar vetë afrimitetin mes tyre.
2. Minimizoni rivalitetin mes tyre
Të gjithë e dinë që qentë dhe macet nuk shkojnë mirë bashkë por është në dorën tuaj të minimizoni rivalitetin mes tyre. Kujdesuni që të mos hanë kurrësesi nga i njejti ushqim pasi kështu do të lindin vetëm zënka.
3. Prijani thonjtë të dyja palëve
Në këtë rast t’i prisni thonjtë maces dhe qenit është diçka e cila duhet bërë patjetër. Zënka më e vogël mund të bëhet shkaktare që kafshët tuaja të lëndojnë njëra-tjetrën.
4. Kushtojini vëmendje të njejtë
Sigurisht kafsha e cila ka më shumë kohë pranë jush, që në rastin tim ishte qeni do të bëhet xheloze. Bëni ç’është e mundur për t’i treguar se asgjë nuk ka ndryshuar në marrdhënien tuaj me të.
5.Durim
Nëse pas një kohe nuk ja keni dalë dot t’i bëni të bashkëjetojnë durimi është zgjidhja e vetme që ju ngelet.
6. Qeni do të ngelet qen dhe macja mace
Kur më në fund të keni arritur t’i bëni të bashkëjetojnë mos mendoni se nuk do të ketë më zënka. Duke qenë dy kafshë të ndryshme duhet të pranoni faktin se kanë edhe karaktere të ndryshme. Gjithmonë ka për të dalë diçka për t’u zënë ama do të vini re se nuk do të mund të rrinë dot pa njëra-tjetrën dhe ky do të jetë fundi i lumtur.
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.