Shkruar nga një grua anonime për The Telegraph.
Kur u njoha me Lisën para 11 vitesh, e kuptova menjëherë që do të bëheshin shoqe. Ishte e zëshme, me vetëbesim dhe e opinionuar. Edhe pse ishim të dyja studente asokohe, ajo e kishte të qartë që donte të bëhej një avokate e fuqishme pa fëmijë. Në dallim nga ajo, unë s’ia kisha idenë ç’do të ndodhte me jetën time dhe u tërhoqa menjëherë nga pasioni i saj.
Kemi qenë shoqe të ngushta që atëherë. Sa herë që ndodh ndonjë gjë, marr atë në telefon. Sa herë takohemi e kalojmë shumicën e kohës duke qeshur e duke pirë verë. I vetmi problem është se nuk i duroj dot qëndrimet e saj në jetë, duke nisur nga politika e deri tek mëmësia.
Unë i përkas më tepër parimeve të qendrës dhe e vras shumë mendjen për njerëzit që votoj. Lisa nga ana tjetër, ka votuar gjithmonë për kandidatët e të djathtës, edhe pse s’ka kurrë arsye pas veprimeve dhe zgjedhjeve të saj. S’do të ishte problem nëse do të kishim dallime politike, vetëm se qëndrimet e saj ndikohen nga partneri i saj afatgjatë.
Më kujtohet një herë vjet, kishim dalë me partnerët tanë në një restorant italian kur papritur biseda kaloi tek emigracioni. Unë thashë diçka të moderuar, ndërsa partneri i Lisës kundërshtoi fuqishëm. Lisa i mbajti anë, edhe pse në mendimin tim ai po tregohej mizor dhe i pazemër. Biseda u bë aq e zëshme sa kamarieri na kërkoi të ulnim zërin. Biseda mori fund në momentin që unë u tërhoqa.
S’është puna thjesht tek parimet. Më pëlqen të mendoj se jam një njeri goxha mendjehapur dhe kohët e fundit ka filluar të më pëlqejë meditimi. Lashë punën dhe fillova të punoj si shkrimtare e lirë. Përpiqem të meditoj dhe të bëj yoga sa të kem mundësi. Balanca mes punës dhe jetës sime është shumë e rëndësishme për mua, por për Lisën është krejt e kundërta.
Jam krenare që ajo po bëhet një avokate e suksesshme dhe e respektoj vendimin e saj për t’u fokusuar tek karriera. Më duket sikur ajo nuk i respekton zgjedhjet e mia në të njëjtën mënyrë. I kërkova të vinte në yoga me mua dhe e kaloi gjithë seancën duke qeshur e duke u tallur me instruksionet e mësueses.
Më mërziti shumë dhe kur u përpoqa t’i bërtisja, në një mënyrë ose në një tjetër përfunduam duke debatuar mbi rëndësinë e parasë (prioriteti më i madh për të, më i vogli për mua). Një tjetër parim në të cilin dallojmë janë fëmijët. Momentalisht jam beqare, por më pëlqen ideja e të berit nënë një ditë. Ajo mendon se jam e çmendur që dua të heq dorë nga liria dhe karriera ime dhe është tërësisht kundër vendimit tim. I pranojmë mendimet e njëra-tjetrës për sa i përket kësaj çështjeje. Fundja, mëmësia është zgjedhje personale, por sidoqoftë s’është e lehtë ta dëgjoj kur flet me shpërfillje për fëmijët. S’e kam problem t’i them që opinionet e saj për çështje të tjera s’i duroj dot, por kur vjen puna tek mëmësia, e kam të vështirë t’ia shpreh sa shumë më lëndon.
E di që do të ndalonte se komentuari në këtë mënyrë nëse do ta dinte se po më lëndon, por s’ndihem komode mjaftueshëm që të flas për këtë. S’është e njëjta gjë si të zihemi për yoga.
Më vjen keq sepse Lisa është një shoqe e mrekullueshme dhe ka qenë gjithmonë aty për mua. Por është kaq kokëfortë sa detyrohem unë gjithmonë të ul kokën në një debat.
Do të doja të kishim qëndrime më të ngjashme, por gjatë viteve jam siguruar të zë shoqe që janë të ngjashme me mua dhe kam mësuar t’i shmang disa tema në sy të Lisës. Sado të më bezdisin qëndrimet e saj qesharake, kohët e mira që kemi kaluar bashkë vlejnë më shumë se çdo gjë.