Erion Isai u largua nga Portokalli pas thuajse 11 vitesh në skenë. Përveçe vë shfaqje teatri privatisht në skenë, regjisori po punon dhe për një emision në televizion. I ftuar në Pasditja ime, Isai tregoi më hollësisht pse u largua nga Portokalli:
“Kishte ardhur momenti të bëja shkëputjen nga personifikimi i Erionit me personazhet dhe për të ndërtuar profilin tim artistik. Krijova një bindje që me një karrierë jashtë një bërthame të madh mund të jem më funksional. Arsyeja pse unë u largova nga Portokallia ishte regjia, për të treguar vlerat e mia në regji.”
Daljet në skenë të Isait ishin gjithmonë pjesa më e vështirë e punës për të. Madje e quan veten aktorin më të dobët atje:
"Portokallisë s’i mungojnë personazhet. Kam qenë ndër aktorët më të dobët të Portokallisë, më modestë. Ato që kam bërë unë mua s’më kanë pëlqyer asnjëherë. Këënaqesha më shmë kur shkruaja. Kur unë merrja ndonjë rol të enjteve, e bëja me stres. Atë që Flori, Besi, Ledio, Salsano e ndërtonin për dy orë, mua më duheshin tre ditë. Është e brendshme.”
Një vit më parë, ai vuri në skenë shfaqjen Ferma e Kafshëve në të cilën shumica e aktorëve vinin nga Portokallia. Isai tregon se shfaqja u mbyll ngaqë aktorët nuk i lejuan më të performonin:
“Ferma e Kafshëve u mbyll sepse aktorët që luajtën në atë shfaqje nuk u lejuan më. Është një nga keqardhjet e mia më të mëdha sepse ishte një produkt sharmant ku aktorët e humorit treguan se dinin ta luanin dhe tragji-komedinë aq bukur. E punova me shumë dashuri, por nuk ka dhimbje në këtë mes.”
Për sa i përket televizionit, të cilit po përpiqet t’i hyjë, Isai thotë se është pushtuar nga reklamat:
“Televizioni është më shumë drejt autorësisë tani dhe po e dëmton shumë komercialiteti. Sot kemi emisione me reklama që kanë pak emision brenda. Nuk kemi më emisione me pak reklama.”
Në intervistë, regjisori lë të kuptohet se emisioni me shumë mundësi do të transmetohet në Tv Klan:
"Jemi në negociata dhe shpresojmë që të shkojnë mbarë. Shumë shpejt do të kemi lajm në këtë pjesë. Formati që ne kemi konceptuar, ideuar dhe që po brumosim përditë nuk ka lidhje me një kabare të mirëfilltë si Portokallia. Është një format tjetër që ka brenda humorin. Unë dhe Besi vijmë në një formë tjtër, jo si në Portokalli. Do të ketë surpriza, edhe në stafe.”
Ai dhe Bes Kallaku do të jenë autorë të spektaklit, por nuk qartëson më tej nëse do të marrin dhe role të tjera në skenë.