Kur ishte 13 vjeçe, Artiola u diagnostikua me leukemi limfatike. Mjekët shqiptarë i dhanë tre javë jetë. Rreth korrikut të 2010-s, sipërmarrësi Robert Rogner, pasi dëgjoi historinë e saj, e mori Artiolën në Austri, dhe i pagoi trajtimin në spitalin e Klagenfurtit.
Pas dy vitesh trajtim intensiv, Ariola u shërua plotësisht dhe vendosi të studiojë mjekësi, për të ndihmuar ata që përjetojnë të njëjtën gjë si ajo dikur. E gjithë kjo, me ndihmën e dy mentorëve të tjerë, që po e mbështesin financiarisht për të paguar studimet.
Për momentin, Artiola po kryen një praktikë mësimore në të njëjtin spital ku u trajtua tetë vite më parë.
“Ndihem shumë mirë që përvojën time të parë po e përfitoj këtu. Sa shumë fytyra të njohura, sa kujtime të shumta,” tha ajo për portalin e shqiptarëve në Zvicër, albinfo.ch.
Për tre vitet e ardhshme, Artiola do të vazhdojë të angazhohet në mjekësi e më pas do të përfundojë një specializim.