Ky sezon u karakterizua nga ndryshime të mëdha dhe lëvizje të bujshme të personazheve nga një televizion shqiptar në një tjetër.
Deri tani ishte marrë vesh se si Besart Kallaku dhe Erion Isai kishin vendosur t’i bashkoheshin televizionit “Klan”, ndërkohë që aludohej se edhe Olsi Bylyku ishte larguar nga “Portokalli” për t’iu bashkuar formatit të miqve të tij. Tashmë çdo gjë është e qartë, pasi burime për Anabel.al konfirmojnë se të tre aktorët e humorit këtë sezon do të kenë hapsirën e tyre në emisionin e së dielës në Tv Klan.
Olsi, Besi dhe Erioni do të kenë një segment tek “E diela shqiptare”, ku të tre do të jenë bashkëskenaristë, ama nuk dihet ende nëse me ta do të bashkohen edhe artistë të tjerë të humorit.
Duhet thënë se kjo është hera e parë që në emisionin e së dielës nga Ardit Gjebrea, do të ketë një segment të veçantë kushtuar tërësisht humorit.
E si për ta konfirmuar këtë, ditën e sotme Besart Kallaku ka ndarë me ndjekësit e tij në Instagram një foto në të cilën shfaqet së bashku me dy kolegët e tij, Ardit Gjebrean dhe Aleksandër Frangajn, duke shuar kështu çdo dyshim lidhur me projektin e këtij sezoni.
Gjithashtu vlen për t’u përmendur se Ardit Gjebra i ftoi djemtë në Tv Klan që në kohën kur Erioni dhe Besi prezantuan këngën magjike thuajse një vit më parë.
Këtë sezon Tv Klan do të ketë një hapsirë të konsiderueshme dedikuar humorit. Duke përmendur këtu faktin që përveç “Xing me Ermalin” dhe “Duplex” në këtë televizion u shtua edhe një hapsirë tjetër me humor.