Në janar të këtij viti, lajmi se vokalistja e grupit të famshëm “The Cranberries” Dolores O’Riordan u nda nga jeta për shkaqe misterioze në moshën 46-vjeçare, tronditi botën e artit. Në atë kohë u tha se ajo gjendej në Londër për një regjistrim të shkurtër, dhe nuk u zbuluan detajet që i shkaktuan vdekjen. Megjithatë, gjatë një seance gjyqësore të mbajtur sot në Londër me rastin e 47-vjetorit të saj, është bërë i ditur shkaku i vdekjes misterioze.
Burime të sigurta pranë gjykatës raportojnë për The Guardian e shumë media të tjera se vdekja ka qenë aksidentale. Ajo u mbyt në banjë si pasojë e dehjes dhe intoksikimit nga alkooli. Dolores O’Riordan u gjet e zhytyr në ujë, me fytyrën lart në vaskën e tualetit nga një shërbyese e hotelit “Hilton” në Park Lane, Londër, rreth orës 9 të mëngjesit më 15 janar.
Niveli i alkoolit ishte 330mg për 100ml gjak, më shumë se katërfishi i kufirit ligjor të lejuar për të ngarë makinën. Ndër të tjera, në gjykatë u tha se ajo vuante prej vitesh nga çrregullime të bipolaritetit dhe varësisë nga alkooli. Të tjera prova ishin konsumimi i tepruar i cigareve, përdorimi i ilaçeve me recetë nga mjeku, 5 shishe të boshatisura në minibar dhe një shishe shampanjë.
Pas lajmit të bujshëm, policia nuk deklaroi se kishte dyshime tek ndokush dhe nuk u gjet asnjë provë se vdekja mund të kishte qenë vetëvrasje.
O’Riordan vlerësohet si një prej kantautoreve më të talentuara. Për 13 vite, ishte lidere e bandës irlandeze “The Cranberries”, që me këngën “Zombie” apo “Linger”, u kthyen në një prej më të suksesshmeve në vitet ’90.
Më tej, Dolores nisi karrierën solo, me albumin e parë vetëm “Are you listening?”. Ndër spektaklet e fundit ku mori pjesë ishte “The Voice” i Irlandës, në sezonin 2013-2014.
Në 2007-ën, O'Riordan erdhi edhe në Shqipëri, ku këndoi para publikut në stadiumin “Selman Stërmasi”.
