Femije

Si t’ja bëni kur fëmija juaj zgjohet natën me ulërima?

12 Shtator 2018

Si t’ja bëni kur fëmija juaj zgjohet natën me ulërima?

Çfarë është ‘terrori i natës’?

Terroret e natës ose makthet janë një lloj shqetësimi gjatë gjumit. Një fëmijë që vuan nga ‘terroret e natës’ mund të ngrihet papritur nga gjumi duke qarë, bërtitur apo duke u ankuar nën zë edhe pse është gjysmë në gjumë. Kjo sepse ai ndodhet në gjendjen midis të qenit në gjumë dhe zgjuar, nuk është i vetëdijshëm për prezencën tuaj dhe s’mund të të kthejë përgjigje për asgjë. Pavarësisht nga ajo që ju po i thoni apo po bëni.

Ekspertët mendojnë se ky fenomen i ngjason një përhumbjeje të mistershme që zakonisht ndodh gjatë fazave tranzit të gjumit që bëjmë çdo natë. Një episod i tillë mund të zgjasë nga disa minuta në një orë dhe kur e gjitha mbaron fëmija fle sërish duke mos kujtuar asgjë nga incidenti.

‘Terroret e natës’ ndodhin përgjithësisht tek fëmijët e vegjël, deri në moshën 12-vjeçare.

Cili është ndryshimi mes ‘terrorit të natës’ dhe maktheve?

Nëse fëmija yt ka kaluar një natë terrori, nuk do ta mbajë mend. Ndërsa një makth e zgjon fëmijën tërësisht nga gjumi. Jo vetëm që i kujtohet çfarë pa në ëndërr, por edhe flet për të dhe do të ketë dikë afër që ta kalojë.

Prindërit do ta dallojnë lehtësisht nëse fëmija kaloi një natë terrori apo një makth. Nëse në mëngjes i shqetësuari i vetëm jeni ju, atëherë ka kaluar ‘natë terrori’.

Ç’bëhet në të tilla raste?

Mos u përpiqni ta zgjoni atë. Përpjekjet tuaj për ta qetësuar, jo vetëm që do të refuzohen, por do ta bëjnë edhe më të egër fëmijën. Edhe nëse vogëlushi është gati për të lënduar veten fizikisht, mos e prekni. Folini me qetësi dhe qëndrojini afër duke e monitoruar, derisa ‘stuhia’ të kalojë.

Fëmijët që vuajnë nga ‘terroret e natës’ mund të ecin përgjumësh, kështu që ju duhet të siguroheni që dritaret të jenë të mbyllura gjatë natës dhe në dysheme të mos ketë objekte.

Por çfarë e shkakton këtë fenomen dhe a mund të parandalohet?

Nuk ka asnjë mënyrë përfundimtare për të parandaluar terroret e natës sepse askush nuk e di ekzaktësisht pse shkaktohet.  Ajo që dihet me siguri është që  fëmijët që e përjetojnë këtë jo domosdoshmërisht kanë probleme psikologjike apo janë të shqetësuar për diçka.

Ilaçet apo kafeina mund të kontribuojnë tek ky fenomen. Gjithashtu, nëse një pjesëtar tjetër i familjes suaj vuan nga diçka e tillë, ka gjasa që të trashëgohet edhe tek fëmija.

Nëse vini re që ‘terroret e natës’ tek fëmija juaj ndodhin në të njëjtën orë çdo herë, mund të provoni ‘zgjimin e skeduluar’ . Që do të thotë se mund të zgjoni fëmijën tuaj 15 ose 20 minuta para se ai të përjetojë ‘terrorin e natës’.