“Babait tim. Me shumë dashuri, vajza jote.” Në varrin e Kristo Latit shkruhen pikërisht këto fjalë, siç vihet re në foton e postuar nga Roza Lati, e bija. Sot, ai do të festonte ditëlindjen e 68 dhe Roza e përkujtoi me një dedikim.
“Nuk mbaj mend shumë nga ty, por mbaj mend që pranë teje ndihesha mbrojtur nga çdo gjë. Di që nga ty kam marrë krenarinë e tepruar, fiksimin për pastërtinë, nervin për ta bërë diçka si dua unë deri në fund. Nuk dorëzohem si nuk dorëzoheshe ti, derisa sakrifikoj dhe shëndetin tim. Dua kafshët si ty. Dua kuajt dhe shoh dokumentarë me kuaj si ti. Deti, dua detin si ti, notoj si ty. Jam e egër si ti. Jam shpirt i lirë dhe e çmendur si ti.
Të dua bab’. Gjithë jetën do të më ndjekë figura jote, sepse aq dreqin, të ngjaj kaq shumë! Gëzuar ditëlindjen o njeri madhështor.”
Në Instagram Stories, Roza postoi dhe dy foto të tjera dedikuar të atit. “Çështje perceptimi. Unë mendoj se shpirti nuk vdes kurrë,” shkruhet në njërën dhe “Buçi, të ishe gjallë, sot do të ishe 68 vjeç,” në tjetrën.
Roza Lati ka folur shpesh për fëmijërinë e saj. Nëna e saj, Rita Lati, u nda nga bashkëshorti kur Roza ishte 8 vjeç. Babai i Rozës u martua sërish dhe la pas dhe një djalë. Dhuna në familje, ndarja e prindërve në moshë të hershme dhe jetesa vetëm me nënën, e ka afruar Rozën shumë me të ëmën. Roza ruan marrëdhëniet me gjysmë vëllain e saj, Erin.