Rrëfimi i ndjerë i Mentor Hazirit në studion e Rudina Magjistarit mbi ngjarjet e përjetuara gjatë Luftës së Kosovës, na rikthehu pas në kohë, tek disa rrëfime të tjera të bëra publikisht në media. Po e nisim nga ai më i fundit.
“Në kohën e luftës, kur filluan bombardimet ne ikëm në një fshat në Kosovë dhe dy javë më vonë filluan të na sulmojnë forcat serbe. Në orën 8 të mëngjesit kemi dalë 500 veta në mal dhe aty na kanë kapur të gjithëve, na kanë mbajtur disa orë dhe na kanë plaçkitur. Më pas, na vunë në rend për të na vrarë, ndanë burrat veç dhe gratë veç dhe prisnin urdhër për të na vrarë. Është histori shumë e dhimbshme. Në ato momente, ajo çfarë mendon një njeri është që të vdesë i pari që të mos shohë se çfarë do të ndodhë. Lutesha të vdisja i pari. Por 500 veta nuk mundën të na vrasin, sepse do të ishte masakër e madhe, nuk morën urdhër për të na vrarë. Na nxorrën në autostradë dhe aty unë jam ndarë nga familja ime. Mua më kanë ngritur në tren dhe kam qëndruar për një muaj në Maqedoni dhe kam punuar për refugjatë të tjerë. Deri kur është çliruar Kosova nuk kam patur asnjë kontakt me familjen time dhe nuk kam ditur asgjë për ta." - tregoi këngëtari.
Pak ditë para rrëfimit të tij, një tjetër e mbijetuar e luftës rrëfeu publikisht tmerrin e përjetuar kur ishte vetëm 16 vjeçe. Në një intervistë për RTK, Vasfije Krasniqi-Goodman tregoi se si dy serbë e përdhunuan kur ishte 16 vjeçe. Ngjarja ndodhi në vitin 1999, në fshatin Babimovc të Vushtrisë. Një prej serbëve që sulmoi Krasniqi-Goodman ishte polic i regjimit të Slobodan Milosevic, ndërsa tjetri, civil.
“Më 14 prill të vitit 1999, isha në oborr dhe hyra brenda t’i thoja nënës të hapte derën. Nuk e dinim nëse erdhën të na vrisnin apo të na bastisnin. Ai [oficeri serb] pyeti ku e kemi babain dhe vëllain. Nëna i tha që janë në Gjermani. Ai tha ‘jo, nuk janë në Gjermani, kanë shkuar në luftë’ dhe hyri brenda e më mori mua,” tregon Krasniqi-Goodman. “Më tha se do të shkojmë në polici për të dhënë deklaratë. Nuk doja të shkoja, por më kapi dhe më futi në makinë. Më detyroi të dilja nga makina. Më gjuante me kallama misri. Nisa të qaja, të ulërisja, të bërtisja. Më detyroi të hyja prap në makinë dhe aty më ndodhi ajo që s’e merr dot ndërmend. Dorën e majtë e kishte të lidhur dhe thoshte ‘do të paguash ç’ka bërë babai yt dhe vëllai jot’. Doja të më vriste, por jo, sepse 'kështu vuan më shumë.”
Tmerrin që nuk mori fund me kaq, mund ta lexoni të plotë duke klikuar këtu.
Krasniqi-Goodman është kthyer në një ambasadore e të mbijetuarve të luftrave të ngjashme. Në korrik foli me gra nga Iraku dhe Republika Demokratike e Kongos në Kombet e Bashkuara në Gjenevë. Udhëtoi drejt Koresë së Jugut për të folur me gra që u detyruan të prostituoheshin në bordello ushtarake gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në mars të këtij viti, historia e nënë Ferdonijes u rrëfye për të disatën herë publikisht në studion e “Dua të të bëj të lumtur”.
E vetme që prej vitit 1999, pa burrin dhe 4 djemtë që u rrëmbyen, nënë Ferdonija ndërtoi një shtëpi muze, një muze dhimbjesh, ku gjenden gjithë plaçkat dhe sendet e të ndjerëve. Përveç dy djemve, eshtrat e të tjerëve s’u gjetën kurrë.
Për ta mbyllur me fotografinë e Sherife Lutës në vitin 1999, që me vajzën në krahë u bë simbol i eksodit të shqiptarëve të Kosovës, të cilët lanë shtëpitë e tyre brenda ditës për t’i shpëtuar masakrës serbe. Pas 18 vitesh, nëna dhe vajza, që u shfaqën në kopertinën e “Time”, rrëfyen në prill të 2017-s në “Pasdite” në Top Channel tmerrin dhe rrugëtimin e mundimshëm.
“Iu bashkuam banorëve të fshatit dhe dolëm në mal,” tregoi Sherifja duke shtuar se ecën për 24 orë në këmbë, pa ngrënë asgjë. I gjidhë udhëtimi u bë në temperatura të ulëta. “Besa nuk qau për 10 minuta dhe të gjithë menduam që kishte vdekur. Kunata ime e mori dhe e futi në furrë,” shtoi ajo për veprimin që i shpëtoi jetën të voglës.

Shënim për titullin e artikullit*, frymëzuar nga “Rrno vetëm për me tregue”- At Zef Pllumi, i konsideruar nga kritika si “ndërgjegjja e kohës”, pasi kleriku françeskian rrëfen gjithë kalvarin e kohës së komunizmit, në burgje dhe jashtë tyre.
“Rrno vetëm për me tregue”, na bën të mendohemi se sa e vështirë është të “vlerësosh” përmbajtjen historike të një gjysmë shekulli shqiptar… Kam bindjen se një shumice shqiptarësh do t’u hyjë në punë kjo dëshmi për ta kuptuar se mohimi i së kaluarës – kulti i harresës – është një nga mënyrat më perfide për të përligjur a posteriori gjithë sa ka pasur kriminale një rregjim.” – Aurel Plasari