Kanë kaluar kaq shumë vite që nga dita kur kuptova që s’besoja në Zot, sa s’kam ndaluar një moment e ta vë në dyshim. E kam marrë të mirëqenë, por meqë jemi këtu, le të bëjmë një kontroll. Prisni një sekondë. Dhe një tjetër. Asgjë s’ka ndryshuar. Vazhdoj të mos besoj në Zot. Për Krishtlindje ama, gjallërohem si kurrë më parë dhe dua do t’ju shpjegoj shkurtimisht pse.
Fshati i Festave – mesa duket kështu quhen shtëpizat që ndërtohen rreth pemës në sheshin Skënderbej – kthehet në pjesën time të preferuar të Tiranës. E dua Tiranën në përgjithësi dhe madje, jam një nga ata njerëz që s’do të largohet nga Shqipëria (shokuese, e di), por sheshi në fundvit ka tjetër energji, një lloj që s’e gjej kund.
Shtëpizat shërbejnë verë të ngrohtë me kanellë, mollë dhe portokall, gështenja në prush, kafe të ëmbla me karamel e ndonjëherë me lajthi; shesin dekorime festive që s’i blej asnjëherë sepse janë kaq shtrenjta(!), por i shoh me qejf. Grupe miqsh mblidhen bashkë për biseda të qeshura, fëmijët fotografohen në çdo cep të sheshit dhe në sfond, një këngë festive. Pa u dashur të dukem si romantike e dëshpëruar, Fshati i Festave është perfekt. S’pranoj argumente kundër.
Për fundvit, gjithë qyteti vezullon nga dritat, që natyrshëm, bëjnë gjithçka të duket të paktën dhjetëfish më bukur. Brenda natës, Bulevardi Zogu I shndërrohet nga një rrugë e thjeshtë, në një hark në dukje të pafundëm xixëllonjash mbi kryet e atyre që kalojnë nën të. Sado kitsch të jenë dritat e ricikluara rishtazi në qytet, e ruajnë misionin e tyre fillestar: të të bëjnë ty, dhe sidomos mua, të ndihemi festiv.
Muzika e Krishtlindjeve është bekim më vete. Ju rekomandoj albumin e festave të Besa Kokëdhimës dhe sigurisht dyshen e fuqishme, “All I Want for Christmas Is You” dhe “Last Christmas.” Edhe pse nuk i kam përjetuar ndonjëherë festat si një e krishterë tipike, e ndjej ngrohtësinë që supozohet të përcjellin, afërsinë me familjen e të dashurit dhe dhënien e dhuratave për të bërë të tjerët të lumtur.
Sezoni festiv nis mesnëntori, fatmirësisht, dhe një event që shënjon atmosferën që na pret është Panairi i Librit, një traditë e vjetër për mua. Me qindra njerëz mblidhen për një dashuri të përbashkët, blejnë libra si dhurata për veten, e blejnë libra të tjerë, që i ruajnë si dhurata për të afërmit. Që e vogël, më kanë dhuruar libra për ditëlindje – që është gjithnjë pak ditë pas Panairit – dhe për fundvit. E mbaj pranë zemrës pikërisht për këtë arsye.
Së fundi, fishekzjarret e ndërrimit të vitit janë vërtet të paorganizuara kur i krahason me çdo shtet të mundshëm në botë, por edhe në rrëmujën e tyre janë efektive – të paktën për mua që i shoh ende me sy fëmije. Ndërrimi i viteve s’është event, s’ka asnjë lloj rëndësie të mirëfilltë, e gjithsesi i japim kuptim. Fillime të reja, qëllime të reja, e njëjta unë.
Për fundvit, e sidomos për periudhën e Krishtlindjeve, më duket sikur mund ta gëzoj sinqerisht jetën, një ndjesi që shuhet sapo hyn i pari i janarit. Deri atëherë, më gjeni duke çarë arra e duke kërkuar pizhama festive.