Shqipëria

Lahuta njihet nga UNESCO si trashëgimi e Serbisë! Reagojnë akademikët

5 Dhjetor 2018

Lahuta njihet nga UNESCO si trashëgimi e Serbisë! Reagojnë

Foto e shkëputur nga kopertina e “Lahuta e Malcis” – Gjergj Fishta

Lahuta, e njohur në rajone të ngryshme me emrin gusle, është pranuar nga UNESCO si pjesë e trashëgimisë kulturore të Serbisë, gjë që ka ngjallur padyshim debat dhe kundërshti.

Shënim: Lahutë (gusle) – vegël muzikore me një tel, që shoqërohet nga një hark i përkulur. Lahuta është përdorur për të shoqëruar këndimin folklorik, veçanërisht atë të poezive epike.

Lahuta njihet nga UNESCO si trashëgimi e Serbisë! Reagojnë
Foto ilustruese

Ndër të tjera, në deklaratën e UNESCO thuhet se “këndimi me gusle i bëmave epiko-heroike është praktikuar ndër shekuj dhe është një formë e kujtesës historike dhe shprehje e identitetit kulturor të Serbisë.”

Natyrshëm lind pyetja: Pse lahuta njihet si trashëgimi e shtetit serb kur është një ndër intrumentet më të njohura dhe më të përdorura në kulturën shqiptare?

Të ftuar sot në "Wake Up" (e mërkurë, 5 dhjetor) akademiku Vaso Tole, nismëtar e hartues i dosjes “Eposi i Kreshnikëve”, dhe ambasadori i vendit në UNESCO, Ferit Hoxha, shpjeguan të tjera detaje.

Hoxha theksoi se Serbia ka propozuar që këndimi me lahutë të njihet si trashëgimi kulturore në përputhje me faktin se kjo praktikë është e pranishme në Serbi. Pra, nuk ka asgjë të gabuar në këtë pikë pasi këndimi me lahutë ka qenë/është i përhapur në disa rajone të Ballkanit.

“Unë e kuptoj shqetësimin dhe alarmin, por këndimi me lahutë nuk njihet si praktikë e vetëm një vendi. Nuk është kështu. Vendi që ka bërë propozimin, në këtë rast Serbia, ka paraqitur identitetin kulturor që ekziston në vendin e vet. Do të kishte qenë e admirueshme që Serbia të kishte bashkëpunuar me vendet e tjera [që propozimi të bëhej i përbashkët]. Nuk është praktikë kulturore vetëm serbe. Duhet të ketë një bashkëpunim të përbashkët shumëkombësh.”

Lahuta njihet nga UNESCO si trashëgimi e Serbisë! Reagojnë

Akademiku Tole u shpreh se në pikëpamjen proceduriale gjithçka është e rregullt.

“Kur eposi u njoh në Shqipëri si kryevepër kombëtare, në 2012-n, Komiteti Shqiptar i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale mori nismën për të përgatitur dosjen. Dosja u përgatit ashtu siç e ka përgatitur në këtë rast shteti serb, por për një arsye të gabuar gjërat shkuan kështu. Në atë kohë, u propozua që Shqipëria të kandidojë së bashku me Kosovën, por duke qenë se Kosova nuk është pjesë e UNESCO-s, u detyruam të prisnim.”

Ai shton se ndoshta do të kishte qenë më mirë që vendi ynë të vazhdonte me kandidimin dhe të paraqeste bashkëpunimin me Kosovën në një tjetër moment (kur Kosova të jetë pjesë e UNESCO-s). Këto nisma janë detyrë e shtetit dhe jo e komiteteve të trashëgimisë kulturore apo studiuesve të ndryshëm. Ata thirren në fazën e përgatitjes së dosjes.

“Është një dukuri e përhapur edhe në vendet fqinje; kam parasysh Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën. Madje edhe në dosjen e paraqitur nga Serbia, theksohet nga ana e tyre se dukuria ka një shtrirje shumëkombëshe, sigurisht pa marrë përsipër të interpretojë se cili komb është prioritar. Ata kanë qenë korrekt.”

Ndër të tjera, Tole thotë se në vitet ’33-’34, dy profesorë të Harvardit mbërritën në Bosnjë-Hercegovinë dhe regjistruan për herë të parë 5 lahutarë – 1 prej tyre ishte serb, ndërsa të tjerët dygjuhësh; ishin shqiptarë që këndonin edhe në gjuhën serbo-kroate. Pra, gjuha serbe dhe shqiptare u dokumentuan së bashku.

“Ismail Kadare ka një roman të mrekullueshëm, ‘Dosja H’, ku përshkruan historikun e marrëdhënieve mes eposeve tona, të Shqipërisë dhe Serbisë dhe në mënyrë të veçantë trajton çështjen e origjinalitetit dhe kronologjisë. Pra, cili ka qenë i pari në këtë trashëgimi. Nuk ka si shpjegohet ndryshe që të gjithë vendet fqinje me shqiptarët e kanë pjesë të kulturës së tyre, por kjo është çështje tjetër.”

Si përfundim, siç shprehet edhe Ferit Hoxha, ministria e Kulturës ka nisur punën për përgatitjen e dosjes përkatëse që lahuta të njihet nga UNESCO edhe si pjesë e trashëgimisë kulturore shqiptare.