Në ditën e fundit në Tiranë, pas përfundimit të xhirimeve të filmit “Emili” me regji të Arjola Dajës, Arta Dobroshi dha një intervistë për Jonida Podcast me Jonida Shehun në fillim të dhjetorit, mundësuar nga Abi Bank. Në vijim, po sjellim shkurtimisht disa pjesë.
A e ka menduar Arta në fillim se do të përballej me rrugën e vështirë të artit (kinematografisë)?
“Gjithçka mund të bëhet. Kurrë nuk kam menduar kështu. Familja më ka thënë ndiq zemrën. Unë jetoj momentin. Kam shkuar në shkollë, në shfaqje dhe jam ndjerë mirë."
Ç’bën ajo për të qetësuar veten?
“Meditoj çdo ditë. Kur mediton ti qetëson trurin dhe trupin. S’kam pasur rast të takohem me njerëz që i praktikojnë këto. Më kanë interesuar këto çështje që e vogël. Kur mediton ti fokusohesh tek gjithçka, dëgjon çdo zhurmë dhe balancon çdo gjë. Kur hap sytë, ndjen se je më prezente. E çmon momentin që jeton.”
A ka diçka që i trembet, ose i prish ekuilibrat në jetë?
“Normal që ndonjë gjë mund të m’i prishë balancat, por edhe atë nuk e shoh keq. Edhe atë e shoh si lartësim të gjërave që dua. Nëse jam diku dhe nuk ndihem mirë, [ai moment] më thotë që kam nevojë për një vend ku të ndihem mirë. Edhe gjërat që ne mendojmë se janë të këqija, nuk janë të këqija. Ato të çojnë në një rrugë tjetër.”
Në këtë atmosferë ishte Arta në Kanë në vitin 2017 kur tha: Nacionaliteti im është Lumturia në një vend që quhet Botë...?
“[Momenti u prit] shumë mirë. E mendova aty për aty. Para se të dilja në skenë, diçka brenda meje më vlonte. Ishte e rëndësishme që njerëzit të kuptonin se refugjatët janë njerëz si unë, si ti. E dija që nuk lejohej të thoja ndonjë gjë, pasi ka aq shumë çmime dhe nuk parashikohen fjalime. Por kur dola në skenë, fokusi im ishte mikrofoni. Nuk e shihja fare çmimin. Personi aty u nis të më ndalonte, por besoj se energjia ishte shumë e fortë. Besoja që gjyshi ishte aty me mua. Shumë njerëz më vinin ndërmend. Kam ardhur si një, kam qëndruar si 10 mijë. Nuk isha vetëm.”
Shënim 1: “I come as One, I stand as Ten Thousand.” – Maya Angelou, shkrimtare amerikane.
Shënim 2: Në 2017-n, filmi “Home”, një film për refugjatët, mori çmimin “Luani i Artë” në Festivalin e Filmit në Kanë. Asokohe bëri bujë thyerja e protokollit nga aktorja shqiptare dhe mesazhi që ajo përcolli.
A e priste jehohën?
“Nuk mendoj rezultatet. Mendoj vetëm për momentin?”
Filozofia në jetë?
“Çdo moment është kënaqësi. Kur jeton momentin ti nuk mendon për asgjë tjetër. Çdo gjë që krijohet, krijohet prej të brendshmes. Mos e lidh vlerën tënde me gjërat e jashtme. Nuk mund të themi që ‘unë kam vlerë se kam gjithë këto çmime’. Jo, ti ke vlerë, sepse ti je.
Nëse dikush sillet keq, s’e ka me ty; e ka me veten. Është shumë e rëndësishme që të mos i marrim gjërat personale. Askush nuk e ka me ty. Ti e ke me veten, ai e ka me veten. Duhet të vlerësojmë njerëzit, energjinë e tyre, shpirtin. Ky është momenti, se pastaj kur vdesim jemi thjesht trupa, asgjë tjetër.
[Në lidhje me vdekjen]: Energjia nuk mund të zhduket, thjesht transformohet. Do të doja të transformohesha në gjithçka.”
Intervistën e plotë e shihni në këtë video.