Lidia Lufi u rendit e dyta në Festivalin e Këngës në RTSH me një diferencë 9 pikë nga vendi i parë. Por gjërat ~mund~ të kishin shkuar ndryshe nëse Rona Nishliu do t’i kishte dhënë më shumë pikë konkurrentes së saj në The Voice of Albania 6.

Shkurtimisht: Lidia ka qenë pjesë e skuadrës së Ronës në edicionin e fundit të The Voice, e cila shkoi deri në finalen e madhe ku u përball me Klint Çollakun nga skuadra e Alban Skënderajt. Edhe pse nuk arriti dot të fitonte çmimin e parë, Lidia ishte një ndër emrat më të spikatur të spektaklit, që emocionoi publikun për netë me radhë.

Siç e thamë më sipër, këtë vit, Lidia mori pjesë në Festivalin e Këngës në RTSH me këngën “Rrëfehem”, për të cilën foli gjerë e gjatë në “Wake Up”.
“Me thënë të drejtën, kur më ka dhënë Agim Krajka 30 pikët maksimale dhe unë jam person që s’më prekin fare emocionet, por isha gati të qaja, isha gati ta mbyllja fare festivalin, nuk ka rëndësi se kush fiton, Agim Krajka më ka dhënë 30 pikë.” - tha fillimisht Lidia.
“Por ke marrë dhe pikë minimale. Rona i dha pikë minimale Lidias. Tani nuk do gjykojmë ne jurinë se juria nuk është për t’u gjykuar, por një këngë që rezulton e dyta, një këngë shumë e mirë, ta marrë minimalen nga Rona, mua më duket pak e habitshme.” – shtoi Isli
Edhe mua m’u duk e habitshme. Prisja të paktë 20 pikë nga Rona. Unë dhe Rona kemi edhe një lidhje që shkon mbrapa [sepse ka qenë mentorja ime në The Voice]. Ajo ma di stilin dhe nisur nga lloji i këngës kam menduar që ajo do ta pëlqente. Duke menduar edhe performancën e mirë që bëra mendoja se ishte ok për të marrë të paktën 20 pikë.” – shprehet ajo.
“Do të ndryshonte gjë nëse do të kishe marrë ato 20 pikë, pasi ka një diferencë prej 9 pikësh nga vendi i parë.” – pyet me të drejtë Islami.
“Ah, Isli të lutem.” – e mbyll Lidia që duket se as nuk do ta mendojë më atë moment.
Në fund ajo thekson se e ka shijuar pafund, siç ka shijuar çdo konkurs tjetër muzikor.