Elvana Gjata feston sot ditëlindjen dhe përmes një postimi në Instagram është kthyer pas në kohë, ekzaktësisht një vit më parë kur për ditëlindje mendoi të bënte diçka ndryshe: një koncert të thjeshtë për të promovuar këngët e albumit të ri EP “3”, intim, por edhe spektakolar në mënyrën e tij të veçantë.
Në postimin e sotëm Elvana gjeti rastin të falenderonte sërish bashkëpunëtorët e albumit, Pirro Çakon dhe Darko Dimitrov, të cilët bashkë shkruajtën tekst e muzikë duke krijuar këngë që do të mbesin përherë në muzikën shqiptare.
Edhe pse ka kaluar një vit, këngët “Ti Shqipëri më jep nder” me tekst të përshtatur nga poezia e njohur e Naim Frashërit, “Më Fal”, “Xheloz”, “Veç një pikë”, “Gjërat kanë ndryshuar” dhe “Festojmë” shijohen po njësoj si në ditën e parë, gjë që dëshmon sa i etur është publiku shqiptar për pak muzikë të mirë.