Kinema & TV

Për pak orë, The Oscars 2019: Si do të ndryshojë ceremonia?

Shkruar nga Anabel

24 Shkurt 2019

Për pak orë, The Oscars 2019: Si do të ndryshojë ceremonia?

Eventi më i rëndësishëm në industrinë e filmit do të mbahet pas pak orësh në Dolby Theatre në Hollywood, Los Angeles (25 shkurt, ora 2 pas mesnatës me orën tonë lokale). Vitin e kaluar, audienca ishte më e ulta në gjithë historinë e çmimeve Oscar, mesatarisht 26.5 milionë shikues nga 32.9 milionë në vitin 2017. Konkurrenca mes shërbimeve të transmetimeve luan një rol të rëndësishëm, megjithëse edhe kohëzgjatja e ceremonisë është një ndër faktorët që i detyron shikuesit të ndërrojnë kanal.

Dhënia e çmimeve të para Oscar zgjati vetëm 10 minuta, por me zhvillimin e televizionit, rrjetet e transmetimit menduan të përfshinin këngë, vallëzime, pjesë humoristike etj. Komedianë si Chris Rock, Ellen DeGeneres dhe Jimmy Kimmel kanë prezantuar ceremoninë në mënyrë që të argëtojnë audiencën. Këtë vit, nuk ka një komedian dhe aq më tepër një prezantues.

Kevin Hart, i përzgjedhur fillimisht nga Akademia, hoqi dorë nga prezantimi i ceremonisë pasi pretendohet se iu tha të kërkonte falje publikisht për deklaratat fyese ndaj komunitetit LGBTQ+ aty rreth viteve 2009-2010. I ftuar tek Ellen DeGeneres, Hart theksoi se arsyeja e vetme pse nuk kërkoi falje ishte sepse nuk donte t’i hidhte më benzinë zjarrit. Sipas tij, media abuzoi duke shkruar se “Kevin Hart refuzon t’i kërkojë falje komunitetit LGBTQ+” duke lënë pa përmendur fjalën “sërish”. Edhe pse Ellen u shpreh se kishte folur personalisht me organizatorët dhe ata ishin pro rikthimit të aktorit në rolin e prezantuesit, Kevin Hart NUK u rikthye.

Akademia nuk zgjodhi një tjetër moderator, por prezantimi do t’i besohet yjeve të famshëm që do të kenë rolin e prezantuesve të çmimeve. Jennifer Lopez, Charlize Theron, Whoopi Goldberg, Michael B. Jordan,Pharrell Williams, Emilia Clarke, Daniel Craig, Awkwafina, Tina Fey etj janë disa nga emrat, të cilëve producentët u kanë besuar audiencën.

Për pak orë, The Oscars 2019: Si do të ndryshojë ceremonia?

Në vitin 1989, producenti Allan Car dhe regjisori Jeff Margolis zëvendësuan monologun hapës me një numër muzikor 11 minutësh që përfshiu një duet midis aktorit Rob Lowe dhe Eileen Bowman, i veshur si Borëbardha. Shfaqja u prit tmerrësisht keq nga kritikët. Këtë vit, monologu hapës thuhet se do të anashkalohet, gjë që kursen kohë; ka gjasë që ceremonia të nisë direkt e me ndarjen e çmimeve.

Karey Burke, presidente e rrjetit televiziv ABC, që transmenton Oscar, u shpreh se ka diçka të veçantë në hyrje të ceremonisë. “Kemi planifikuar një hapësirë shumë emocionuese".

Thuhet se producentët kanë menduar një bashkim të “The Avengers”. ABC është në pronësi të Disney-t, që zotëron edhe Marvel Studios, ku është prodhuar “The Avengers”.

Për pak orë, The Oscars 2019: Si do të ndryshojë ceremonia?