TV Mania

Dalina Buzi: 'Hostel by Anabel' 2 është sfida më e jashtëzakonshme e karrierës sime

Shkruar nga Anabel

2 Mars 2019

Dalina Buzi: 'Hostel by Anabel' 2 është sfida më e

Pak orë më parë në rrjetet sociale të Anabel u shpall data zyrtare e nisjes së sezonit të 2-të të “Hostel by Anabel”. Dalina Buzi, krijuesja dhe producentja ekzekutive e këtij seriali, na jep disa detaje rreth sezonit të ri.

Përse u vonua kaq shumë?

Në fakt ishte një gabim i imi anonçimi i datës teknike “Janar”, pasi ende nuk e dija se çfarë valleje i kisha hyrë këtë vit. Vetëm një muaj përpara fillimit të vitit të ri kalendarik, vendosa që të bëj një ndryshim rrënjësor në pjesën e tretë të “Hostel-it”, një vendim që kërkoi një investim shumë të madh në krijmtari dhe prodhim.

E keni fjalën për rubrikën “E ke parasysh kur..” që ishte me skeçe të shkurtra?

Po. Ajo ishte një nga rubrikat më të suksesshme, por e ndjeva që ne si ekip kishim mundësi të shfaqnim edhe më shumë potencial, ndaj nga skeçe, ajo rubrikë tashmë ka avancuar në një serial të mirëfilltë kinematografik. Në fakt, seriali ka dalë edhe më i madh se ç’e parashikoja dhe fare mirë mund të transmetohej edhe më vete, ndaj akoma mendoj që po nxitoj me datën (qesh).

Megjithatë njerëzit mezi e presin. Të paktën nga ato çfarë lexoj nëpër komente…

E vërtetë. Pritshmëria dhe padurimi ka qënë shumë i madh. Kemi qënë të befasuar, të lumturuar por edhe të frikësuar nga feedback-u i jashtëzakonshëm që kemi marrë. Çdo ditë (dhe këtu nuk po e ekzagjeroj) marrim mesazhe nga njerëz që pyesin se kur do të fillojmë. Sa herë lexoj një koment të tillë, i them vetes “E tmerrshme, këta njerëz e duan kaq shumë këtë prodhim. A jemi ne në gjendje të sjellim një produkt të ri që do ta duan po njësoj?”

Thoni që prodhimi do të jetë një serial i mirëfilltë kinematografik. Pra të gjitha vajzat do të jenë aktore kryesore?

Seriali, një rom-com (Romantic Comedy) të cilit momentalisht po i përmend vetëm titullin e shkurtar #LLT trajton të përditshmen e Tiranës, një Tirane që shumë pak portretizohet në prodhime kinematografike/televizive, por është Tirana që unë njoh, gocat e Anabel njohin dhe të gjithë aktorët pjesëmarrës. Është Tirana e dashurive, ndarjeve, problemeve në familje, në karrierë, Tirana (edhe) e një mentaliteti modern. Tirana ku njerëzit kërkojnë veten dhe njëri- tjetrin. Por më e rëndësishmja, është një Tiranë ku jetohet dhe shpresohet dhe nuk ka zgjidhje të shkurtra si “largimi” për të gjithë. Vajzat e Anabel Hostel patjetër që do të jenë në rolet e tyre përkatëse, siç do jetë edhe Ernest Manaj, por kasti është shumë më i madh se kaq, duke përfshirë edhe emra të njohur të muzikës dhe kinemasë si Egla Ceno, Alban Ramosaj, Ina Gjonçi, Eni Shehu, Alex Seitaj etj. Në përgjithësi të gjithë të përzgjedhurit, hyjnë tek aktorët më natyralë dhe më modernë të ekranit dhe teatrit, të cilët unë i vlerësoj shumë dhe që i kanë dhënë ngjyrën e duhur roleve.

Po në pjesën tjetër të “Hostel by Anabel” do të ketë ndryshime?

Megi, Dea, Viola, Alberta dhe Ana janë edhe këtë vit, njësoj, me tipologji të ndryshme, por shumë të lidhura. Ato do të vazhdojnë të eksplorojnë fenomene dhe vende shqiptare sipas mënyrës së tyre në rubrikën “Me provë”, ndërsa ”Anabel Lab” këtë vit ka evoluar në një mix situatash dhe sprovash të parealizuara më parë në televizion apo në kanale online. Për këto dy pjesë është kujdesur bashkë-skenaristja e këtij edicioni, Klaudia Brahimaj dhe po ju them vetëm që do shkriheni me lot, por edhe do të befasoheni nga sa të hapur janë të rinjtë shqiptarë , të cilët këtë vit kanë ndarë me “Hostel by Anabel” intimitetet e tyre si asnjëherë më parë.

Thatë që ky është një investim shumë më i madh se vitin e kaluar. Përse sërish online?

 Përse jo? Unë nuk kam asgjë me televizionet. Televizionin e dua, sepse aty ka qënë shkolla ime e parë mediatike, por jam e lumtur dhe e bekuar që po bëj atë që dua në këtë epokë ku mund të zgjedh lirisht kanalin ku dua të komunikoj. Anabel.al ka qënë ndër të parat që kuptoi fuqinë e online në 2009 dhe audienca jonë, kalon një kohë të konsiderueshme në rrjete sociale. Ndaj nuk e shoh se si do të me ndihmonte më shumë ekrani i vogël. Një fakt interesant: Ceremonia “Oscar” e transmetuar në një nga kanalet më të fuqishme amerikane, ABC është parë këtë vit nga 26.5 milionë vetë. Ndërsa intervista me Jordyn Woods nga Jada Pinket Smith, e transmetuar (të premten 1 Mars) në rrjetin social Facebook, ka kapur deri në këtë moment që flasim 30.5 milionë shikime. Çfarë ndryshimi ka më?

Kur them pse jo televizion, e kam fjalën edhe tek mbështetja ndoshta më e madhe ekonomike që përfiton kur atashohesh pranë një televizioni të njohur…

Kjo është e vërtetë dhe vlen për shumë producentë free-lance, por jo në rastin e Anabel. Ne kemi kaq vite që kemi ndërtuar një raport shumë të shëndetshëm me dhjetëra kompani të cilët kanë besuar në shërbimin dhe përmbajtjen tonë. Natyrisht një prodhim si ky sezon i ri i “Hostel by Anabel” është shumë i kushtueshëm, mund të them po aq i kushtueshëm sa prodhimet më të shikuara primetime në televizione, por ne si staf besojmë tek kjo gjë dhe kur beson dhe kur ke treguar sukses dhe korrektësi, mbështetja nuk mungon.

Keni menduar ta çoni “Hostel by Anabel” edhe në platforma të tjera si Netflix, apo të bëni diçka për kinema?

E kemi diskutuar “Netflix” të jem e sinqertë. Unë jam me shumë këmbë në tokë dhe më pëlqen ta mas mirë hapin, përpara se ta hedh, pavarësisht se marr zjarr kur më vjen një ide fituese në kokë. Besoj se këtë vit, prodhimi, qoftë i gjithë “Hostel by Anabel”, qoftë edhe seriali në pjesën e fundit, për nga përmbajtja dhe cilësia është lehtësisht i kualifikueshëm për atë platformë, por do shohim. Nuk flas dot tani. Përsa i përket kinemasë, ajo është ëndrra ime e fëmijërisë. Edhe pse e nisa si gazetare karrierën mediatike, gjithmonë kam dashuruar regjinë dhe skenarin e filmave. Unë ekranin e kinemasë e respektoj shumë, aq shumë sa për momentin nuk kam aq besim tek njohuritë e mia dhe më duhet të stërvitem edhe ca. Një fakt interesant: Pasi mbarova një draft të skenarit të serialit të ri, i cili u pëlqye nga i gjithë stafi, dyshoja se kishte disa probleme, por s’dija ku t’i vija gishtin. Atëherë iu futa leximeve të librave mbi skenarin në Kindle dhe bëra disa kurse (Masterclass) online me regjisorë e skenaristë të famshëm amerikanë. Aty kuptova që ja kisha futur kot. Ajo çfarë stafi pëlqeu, ishte një novelë dhe jo një skenar për kamerën. Ndaj e rishkrova të gjithin nga fillimi. Ka qënë një nga eksperiencat më të jashtëzakonshme në të gjithë karrierën time.

Jeni e lumtur me versionin përfundimtar?

Asnjëherë. Duke e njohur veten, deri në transmetim, do e ndryshoj e do e shkurtoj disa herë. Dhe pasi të transmetohet do të them “Ah ta kisha bërë këtë kështu më mirë.” Por jam e lumtur se si e ka përkthyer regjisori Endri Delisula të gjithë idenë time, sepse për mua, ky është një faktor shumë i rëndësishëm i suksesit. Jam gjithashtu e lumtur me përzgjedhjen e kastit, që pak a shumë, janë fiks siç i kam imagjinuar në kokë.

Pse Hostel transmetohet të martën këtë vit dhe jo të hënën?

Unë jam shumë supersticioze dhe s’po zgjatem më shumë, sepse do e komplikoj këtë intervistë me llogaritjet e mia hënore dhe numerologjike. (Qesh)

A do të ketë thyerje tabush edhe këtë vit?

Këtë pyetje do ta kuptoja nëse do të ma bënte dikush jashtë stafit të “Anabel”, por ti dhe të gjithë që punojnë çdo ditë në zyrat e kompanisë, e dini fare mirë që çfarë quajnë “tabu’ herë pas here mediat, për ne janë thjesht zgjedhje natyrale njerëzore. Ne kemi trajtuar prej vitesh pa asnjë lloj paragjykimi fenomene si droga, homoseksualiteti, tradhtia, krizat martesore, vetëvlerësimi etj. Ka gjëra në këtë sezon që nuk janë trajtuar më parë me kaq normalitet në prodhime televizive shqiptare, por unë refuzoj t’i veçoj, sepse seriali është Jeta Që Ndodh dhe në jetën që ndodh, njerëzit janë të gjithë njësoj në kërkim të vetes, dashurisë dhe mirëqënies.

Kur të dalë sezoni i ri në transmetim, krahas shikueshmërisë, çfarë do të quaje fitoren më të madhe?

Anabel ka punuar gjithmonë vetëm me audiencën në mendje. Në çdo hap tonin ne kemi treguar vetëm dashuri për njerëzit, duke i argëtuar, informuar dhe frymëzuar. Nga ky sezon unë dua që njerëzit jo vetëm të argëtohen, por edhe të gjejnë veten e në asnjë moment të mos ndihen si “të izoluar” në problemet e tyre apo të pashpresë. Por ajo që dua më shumë dhe ajo për të cilën jam munduar të bëj këtë vit, është t’u rikthej shikuesve, dashurinë për këtë qytet (Tiranën) dhe për Shqipërinë në përgjithësi. Tmerrohem çdo ditë nga bombardimet e portaleve me lajme që përqëndrohen vetëm në të këqiat e këtij vendi, dëshpërohem nga dhjetëra të rinj që kërkojnë të largohen sepse nuk shohin asnjë dritë në fund të tunelit. Të gjithë ne, përfshirë edhe mua, jemi gjendur në një moment debati me veten “Të rri apo të iki nga ky vend?”, por besoj se ka një shpresë, përtej të vërtetave të hidhura që na vijnë nga politika, kronika dhe ekonomia, mjafton të ndryshojmë perceptimin tonë në raport me veten dhe me atë çka duam.

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.