Ju e dini se herë pas here na pëlqen t’ju sjellim ndërmend këngë shqiptare (dhe jo vetëm) që kanë ditur të qëndrojnë gjatë në kujtesën tonë duke u kënduar ndjesive dhe situatave njerëzore, si humbja e një dashurie.
Përgjithësisht ndarjen e kemi konceptuar të dhimbshme, por siç ju paralajmëruam lista jonë do të nisë me një këngë jo si gjithë të tjerat. Vite më parë, Mirsa Kërçeli dhe Lyrical Son do të hidhnin në treg një këngë krejtësisht moskokëçarëse përsa i përket fundit të një romance.
“Pun’ e madhe që s'jemi një,
pun’ e madhe që s'jemi më bashkë,
pun’ e madhe qe ne u ndamë,
ejjj do t'gjej një tjetër” këndonte Mirsa.
Fundja shkëputja e një marrëdhënie s’ka pse të jetë përherë aq e trishtë!
Soni Malaj do t’i sillte muzikës shqiptare një tjetër këngë cilësore rreth ndarjes, projekt me të cilën konkurroi në festivalin “Top Fest” dhe fitoi çmimin “Kënga më e mirë”. Veçantia qëndron në faktin se këtu nuk ka as dramë, as intrigë dhe përkundrazi, as urrejtje. E thënë ndryshe, i këndohet me dashuri një dashurie që po merr fund.
“Ndarja është shumë e rëndë
vret zemrën, lëndon n’shpirt
më puth më flit ngadalë
siç di zemër vetëm ti”
Nga këtu le të zhvendosemi në një tjetër ekstrem. Fabula është e tillë: ata janë ndarë, ai martohet me dikë tjetër dhe ish- i lëshon vargje elegjiake:
“Dashnia vdes nëse zemra të pushon
Un’ në shpirt jam që jetën e flijon,
Urime o zemër për nusen e re
aspak mos u prek edhe pse kam vdek”
Jam e sigurt që e kujtuat, Rovena Stefa me “Adresë pa emër”.
Doni më shumë viktimizim? Ja dhe 4 vargje të tjera për ju:
"Në telefon mos kërko numrin e vjetër/ se un s’jam më, aty është dikush tjetër/ harroje emrin që s'ekziston më/ se kush ka vdekur jo s'është kthyer më"
Mjaftueshëm lot për sot! Si thoni për diçka me më shumë këmbë në tokë?
"Dashurinë e parë dhurova
për të njohur një njeri
dhe mësova të mos gaboj
kur e humba këtë dashuri"
Nga këtu besoj se jeni gati për dhimbjen e një burri që i këndon asaj, Dashurisë së shkuar...
"Hej të thërras e të mendoj
ndaj të lutem,
sot afrohu të takoj
ndonëse vitet ikin shpejt
Përse na ndan"
Nëse je ndarë, ai kërkon të ktheheni sërish por ti nuk e ndjen më, Ledina Çelo e di si ndjehesh:
"Jo nuk të dua,
Është tepër vonë tani, tepër vonë,
Jemi të huaj,
I dashur...vonë,
Zemra u ftoh,
Zemra u ftoh"
Për një ndarje plot metafora dhe fjalë therëse, "Dorëheqja" e Çiljeta Xhilagës është zgjedhja e duhur:
"Një dashuri dorëheqjen dha
një dashuri sot ditën e fundit ka
një funeral në vend të këmbanave
të dasmave të dasmave të dasmave"
Nga këtu hidhemi te një tjetër këngë. Dy të dashuruar që s'mundën ta ruanin lidhjen e tyre:
"Pa fat (Pa fat)
ishim në jetë dy udhëtarë
nuk e gjetëm yllin polar
nuk e gjetëm Kepin e Shpresës"
Prodhimtaria e muzikës shqiptare fatmirësisht (të paktën përsa i përket dashurisë së humbur) është tepër e larmishme. Perceptime nga më të ndryshmet dhe mënyra interesante të trajtimit të ndarjes nuk kanë mungur në tingujt e muzikës sonë. Elvana Gjata solli këngën e një gruaje që denjësisht kërkonte ndjesë:
"S'ma fal ti
Unë e di më shumë ku të kam vrarë
Nuk desha
Besomë nuk desha
S'ma fal ti
Unë s'u bëra kurrë si ti ke dasht
Si ti ke dasht"
ashtu siç Ylli Limani i tha ish- it të tij ta harronte dhe të vazhdonte jetën. Për të ishte më mirë pa të!
"Po t'lutna ma mir t'bjen me shku sa nuk o von
Ma mir njeki andrrat tua lej kujtimet mu harrom
Harroje krejt dashnin qe dikur un ta dhash
e nashta me naj jet tjeter mujna na dy me kon bashk"
Shijojini!