“Frymëzimi im në çdo çast pune, je ti Nuse Geraldine. Dua që ta shijosh dasmën tënde, të shkëlqesh nga bukuria dhe të ndihesh e lehtë si pupël. Prandaj vendosa të sjell për ty koleksionin e parë të këpucëve “Marçela Lati - Wedding Shoes.” – Marçela Lati.
Rreth tre vite më parë, Marçela Lati nisi kërkimet për projektin e saj më të ri duke e finalizuar me 11 modele këpucësh/sandalesh, të dizenjuara dhe prodhuara nga stilistë italianë, të cilat mbajnë emrin e saj: “Marçela Lati - Wedding Shoes”. Ndonëse për personalizimin e modelit ka kritere për t’u përmbushur, të cilat kanë të bëjnë me sasinë e prodhimit, emrin në tregun që operon dhe sigurisht shteti ku modeli do të jetë ekskluziv për t’u servirur, Marçela ia doli që për herë të parë të sillte në Shqipëri një koleksion të të tilla përmasave.
Në një intervistë ekskluzive për Anabel.al, ajo rrëfen detaje të rëndësishme për projektin e ri, duke nisur nga zanafilla e idesë e deri tek prodhimi i këpucëve nën emrin e saj, për të cilat shprehet se “ku ka dashuri, nuk ka numra, por emra”.
Koleksioni juaj i fundit ishte një surprizë për të gjithë. Prej sa kohësh e mbani sekret?
Të tregohem e sinqertë është një projekt që kisha kohë që e mendoja dhe e zhvilloja. Në rreth të ngushtë miqsh edhe kisha shprehur dicka, por sekret me fanatizëm po e mbaja prej më pak se një viti.
Një projekt i tillë ka qenë një ëndërr e hershme, apo erdhi gradualisht si nevojë e zgjerimit të shërbimeve të Geraldina Sposa?
Unë kam shumë ëndrra, por kur ndonjëra nga ëndrrat shkon në raport me nevojat e tregut, ke më shumë shtysë ta konkretizosh. Kështu ndodhi dhe me koleksionin e këpucëve.
Këpucët janë prodhuar në Itali? Sa input keni pasur ju në dizenjo; keni qenë vetëm ju e përfshirë, apo keni pasur bashkëpunime me dizajnerë nga Italia?
Po, janë prodhuar në Bolonjë, në një nga fabrikat më në zë të prodhimit të këpucëve. Në realizimin dhe personalizimin e koleksionit kam qenë pjesërisht diktuese në atë që doja të realizonin modelistët. Gjysma e modeleve vinin nga koleksioni bazik i tyre i lindur për t’u personalizuar dhe nuk e pashë të nevojshme të bëja ndryshime, ndërsa në pjesën tjetër vëmendjen e përqëndrova mbi aksesorët duke këmbëngulur që ata të bëheshin të çmontueshëm në mënyrë që këpuca/sandalja të ndryshojë pamje sipas nevojës dhe rastit për të cilin do të vishet. Them që kam sy të mirë, jam mjaftueshëm kërkuese për të arritur përsosmërinë, por modestisht nuk mendoj se gëzoj statusin e të anashkaluarit rolin e dizajnerve italianë për të finalizuar këtë projekt.
Gjatë skicave, jeni nisur nga nevojat e nuseve shqiptare referuar eksperiencës së mëparshme, apo ishte e gjitha një frymëzim?
Nevojën e nuseve po e zgjidhja duke e sjellë këtë koleksion për to, pas kësaj ishte e gjitha frymëzim pa lënë pas dore për asnjë moment komoditetin që një këpucë duhet të ofrojë. Në disa raste skica që e gatshme ideuar e tëra nga Susanna e Paolo (modelistët e talentuar me të cilët pata fatin të bashkëpunoj) dhe nuk kishte nevojë për ndryshime, kishte çdo gjë që kisha imagjinuar për një këpucë/sandale.
Këpucët kanë emra të figurave të famshme publike. Pse kjo zgjedhje?
Kodifikimin në fabrikë këpucët e kishin me numra. Mua nuk më pëlqejnë numrat dhe shifrat edhe pse në kaq vite në menaxhimin e Geraldinës me gjithë perpjekjet nuk ju kam shpëtuar dot atyre. Ky koleksion ishte i tëri dashuri, e ku ka dashuri nuk mund të ketë numra, por emra.
Në momentin që vendosa për emra mund të kisha zgjedhur për shembull emra lulesh, por menjëherë kur pashë mostrat e para më erdhi natyrshëm të mendoja "ky model është stil Arbane, ndërsa ky stil Jonide, ky model do t’i rrinte shumë mirë Rudinës, ndërsa ky Venerës". E kështu më rrodhën emrat një nga një.
View this post on Instagram
Koleksioni do të jetë vetëm për nuset, apo në të ardhmen e shihni në një gamë më të zgjeruar?
Koleksioni lind si wedding për shkak të nevojës së tregut, por që tani mund të porositet në një gamë të gjerë ngjyrash. Në fund të javës, do të kem modelet e para me ngjyra. Në të ardhmen e shoh sipas planit, në një gamë të zgjeruar.
Cila ka qenë gjëja më e bukur e këtij procesi, që nga ideja e deri tek prodhimi?
Prova që ju bëja këtyre këpucëve në këmbën time, fill pas realizimit dhe logimit. Në çdo palë që provoja entuziazmohesha si fëmijë.
A keni pasur ndonjë moment kur druheshit se mos po futeshit shumë shpejt në treg duke prodhuar këpucë shqiptare, në një vend ku ende mahniten (kryesisht) vetëm nga prodhimet e huaja?
Mua më pëlqejnë sfidat, me entuziazmon fakti i të bërit gjëra që nuk i ka bërë kush në tregun tënd. Zgjodha të eci në një terren të virgjër dhe si i tillë ka pasiguritë e veta. Por gjithmonë i kam besuar instiktit, i cili s'më ka lënë kurrë në baltë. Pastaj personalizimi është shqiptar, se kjo këpucë është 100% Made in Italy.
Mandi, përveçse bashkëshorti juaj, ka qenë edhe partner në biznes prej më shumë se 20 vitesh në Geraldina Sposa. Si e priti këtë sipërmarrje të përsonalizuar? A druhet se kjo gjë mund t’ju shkëpusë nga përditshmëria e tij si krahu i djathtë?
Mandi e mbështeti këtë projekt me kushtin që unë do të arrij t’i bëj të gjitha, edhe pse ai është natyrë që nuk krijon vartësira. Geraldina është e shenjtë për të ashtu si dhe për mua. Në finalizimin e projektit filloi të "grindej" pak, por shpejt u bind që ky është një degëzim që vetëm e ndihmon Geraldinën dhe duke e parë në këtë kontekst nuk pati më druajtje dhe rriti masën e mbështetjes (qesh).
View this post on Instagram
Ku mund t’i gjejmë këpucët? Do të jenë vetëm në Geraldina apo edhe në butikë të ndryshëm?
Këpucët gjënden online në www.marcelalati.com dhe te Geraldina sigurisht. Jam në bisedime që të mund të gjenden dhe në pak butikë të tjerë dinjitozë.
Sapo keni filluar ta prezantoni fushatën në Instagram. Si e kanë pritur njerëzit?
Kam marrë pafund komplimenta për këtë iniciativë, përveçse gratë gjithmonë kur bëhet fjalë për këpucë ekzaltohen, ishin të gjitha njëzëri dakord kur thoshin "ato modele janë dashuri".
Përveç pjesës estetike, sa rëndësi i është kushtuar rehatisë. Pra a janë të rehatshme për nusen, e cila duhet të qëndrojë me orë të tëra në këmbë?
Në një këpucë rehatia duhet të shkojë paralel me estetikën, sidomos në një këpucë/sandale nuseje.Të gjitha modelet kanë një platformë (thuajse të padukshme) që ndihmon ndjeshëm. Taka lind si një 11 cm, por me opsionin që mund të bëhet 5 ose 7 cm nëse teknikisht modeli e lejon. Përveçse koleksionit shumë shpejt do të shtohen dhe balerinat si mundësi e mirë për t’u veshur gjatë festës në orët e para të mëngjesit.
View this post on Instagram
Me vendosjen e emrit vjen edhe një përgjegjësi shumë herë më e madhe që identifikohet me individin. Ky vendim ishte diçka që e donit që prej fillimit, apo e vendosët rrugës?
Nuk e doja që prej fillimit, e vendosa rrugës, duke parë që të njëjtën gjë kanë bërë edhe kolegë të mitë nëpër botë. Në përditshmërinë time te Geraldina nuset e ardhshme më vërtetojnë çdo ditë që i besojnë shijes sime. Nisur nga kjo, ka qenë një përgjegjësi dyfishe për mua dhe gjykuar nga interesimi i deritanishëm për produktin “Marcela Lati ëedding shoes”, mendoj se ia dola të kem një start impresionueshëm premtues. Përgjegjësia nuk më tremb, pasi mendoj që ndonjëherë bëhem e mërzitshme për sa e përgjegjshme jam.
Dhe pyetja e fundit, për kuriozitet më shumë, nëse do të martoheshit sërish, cilin model do të zgjidhnit për veten?
Varet shumë dhe nga fustani që do të zgjidhja të vishja, por nuk i ndaj dot, janë të gjitha njësoj të dashura për mua. Do zgjidhja symbyllurazi.
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.