Familja e Avicii-t është duke u siguruar që projektet e mbetura pezull të publikohen. Albumi i fundit do të titullohet “TIM” dhe do të përmbajë këngët me të cilat DJ po punonte pak para se të largohej nga jeta.
“Ai la pas një koleksion këngësh të papërfunduara, bashkë me shënime, biseda në email dhe mesazhe pafund. Këngëtarët me të cilët Tim (Avicii) do të bashkëpunonte janë munduar që t’i afrohen sa më shumë vizionit të tij.” - u shpreh një përfaqësues.
Kënga "SOS" do të lançohet më 10 prill, ndërsa albumi i plotë do të jetë gati në qershor. Muajin e kaluar, familja Bergling njoftoi krijimin e një fondacioni për parandalimin e sëmundjeve të shëndetit mendor.
Avicii, emri i vërtetë i të cilit është Tim Bergling, u gjend i pajetë më 20 prill të 2018-s në moshën 28-vjeçare në Muscat, Oman, ku po pushonte me miqtë.
DJ suedez tregoi në një intervistë në 2013-tën se praktikisht jetonte me alkool, që ia ofronin falas kudo që shkonte, shampanjë, Bloody Mary dhe ushqim aeroporti.
“Isha shumë nervoz. Krijova varësi pasi mbështetesh tek inkurajimi dhe vetëbesimi që të jep alkooli, pastaj nuk heq dot dorë. Mbase pi më shumë nga ç’duhet, por kam një ritëm. Nuk pi asnjëherë dy ditë radhazi.”
Rutina e tij ishte: shampanjë në darkë, Bloody Mary në aeroport dhe verë në aeroplan. Ai theksonte asokohe se i ishte nënshtruar një diete me Red Bull, nikotinë dhe ushqim aeroporti. Pija e tepërt solli një sërë problemesh shëndetësore në jetën e 28-vjeçarit. Hoqi apendecitin dhe tëmthin në 2014-n, në 2016-n u diagnostikua me pankreatit akut, pasojë e festave të tij të çmendura.
Informacion shtesë:
Pankreatiti është inflamacion (enjtje) e pankreasit. Ai ndodh kur enzimat tretëse fillojnë të sulmojnë pankreasin. Pankreatiti mund të jetë akut (ndodh papritur) dhe mund të jetë kërcënues për jetën me komplikacionet e shumta që ka. Dëmi i vazhduar ndaj pankreasit mund të çojë në një forme të zgjatur (kronike). Rreth 20% e pankreatitëve akutë janë të rëndë. Rastet shumë të rënda mund të çojnë në shok dhe vdekje.
Shkaqet më të zakonshme janë gurët në tëmth dhe përdorimi i alkoolit. Shkaqe të tjera janë: barnat, ndërhyrjet kirurgjikale në bark, anomalitë e pankreasit apo zorrëve dhe rrallë infeksionet (p.sh. fruthi), bllokimi i kanaleve apo cikatriçet e pankreasit si dhe kanceri apo infeksioni i pankreasit. Ndonjëherë shkaku mbetet i panjohur. Pankreatiti mund të jetë kërcënues për jetën dhe ka nevojë për trajtim të menjëhershëm.