Bota

Mjeku i fertilitetit përdorte spermën e tij për të lënë shtatzënë pacientet: U bë baba i 49 fëmijëve

Shkruar nga Anabel

13 Prill 2019

Mjeku i fertilitetit përdorte spermën e tij për të

Jan Karbaat, mjek fertiliteti në Hollandë, u nda nga jeta në vitin 2017, por para kësaj u bë baba i të paktën 49 fëmijëve. Në kundërshti me dëshirat e pacienteve, Karbaat ka përdorur spermën e tij në vend të të dhuruesve për të inseminuar nëpërmjet fertilizimit in vitro gratë që nuk mbesnin dot shtatzënë. Pasi gjykatësit urdhëruan publikimin e profilit gjenetik të Karbaat, një grup që dyshohej si pasardhës të mjekut kryen teste atësie, nga të cilët 49 rezultuan se ishin vërtet fëmijë të mjekut të ndjerë.

Para se të vdiste, Karbaat pranoi se u bë babai i 60 fëmijëve teksa shërbente në klinikën e fertilitetit. Sipas The New York Times, termi klinikë ndoshta nuk i përshtatet rastit. “Karbaat administronte një bankë sperme mbrapa shtëpisë së tij me tulla të verdha në qytetin e Barendrecht, afër Rotterdam.” Ai ndihmoi në ngjizjen e rreth 10 mijë fëmijëve nga viti 1980 deri në vitin 2009, kur autoritetet mbyllën klinikën prej shkeljeve të shumta.

Në vitin 2017, një grup i ashtuquajtur “fëmijët e Karbaat” paditën familjen e mjekut një muaj pas vdekjes së këtij të fundit. Asokohe, një gjykatës vendosi mbledhjen e ADN-së së mjekut pas vdekjes nga objekte personale si furça e dhëmbëve. Profili gjenetik do të mbahej i izoluar deri kur një tjetër gjykatës të vendoste për hapin e radhës. Në shkurt, gjykata e distriktit vendosi se ekzistonin mjaft prova se Karbaat përdorte spermën e tij për të inseminuar pacientet dhe si rrjedhim, është babai i deri në 200 fëmijëve, pa dijeninë e prindërve të tyre.

Sidoqoftë, jo të gjithë fëmijët e Karbaat ndihen keq në lidhje me ngjarjen. “S’mendoj se e mashtroi nënën time,” thotë Eric Lever. “Ajo donte një fëmijë dhe s’mbeste dot shtatzënë me babain tim.”

Të tjerë u shprehën mirënjohës që mori fund. “Pas një kërkimi 11-vjeçar, mund të vazhdoj jetën time,” tha një burrë i quajtur Joey. “Jam i lumtur që më në fund di gjithçka.”