“Sytë e të gjithëve ishin drejtuar tek maja e katedrales. Ajo që po shihnin tani ishte diçka e jashtëzakonshme. Në galerinë më të lartë, përmbi rozetën qëndrore, dukej një fjalë e madhe që ngrihej ndërmejt dy kambanareve në një vorbull shkëndijash; ishte një flakë e madhe, e çrregullt dhe e furishme, të cilës era i rrëmbente hera-herës ndonjë thekë së bashku me tymin. Nën atë flakë, përfund parmakut të errët me tërfila vezullues, dy ullukë që dukeshin si gryka përbindëshash, villnin pa pushim atë shi të zjarrtë, currilet e argjendta të të cilit shndritnin në pjesën e poshtme të zymtë të fasadës. Duke iu afruar tokës, të dyja këto rrëke prej plumbi të lëngshëm ndaheshin në formë çurkash, siç bën uji që del gulfa-gulfa nga njëmijë vrimat e një ujitëse. Përsipër flakës, kullat vigane, çdonjëra nga të cilat i paraqiste syrit dy faqe krejt të ndryshme: njërën të kuqe, kurse tjetrën të zezë, dukej sikur ishin bërë më të larta; aq të mëdha ishin hijet që hidhnin ato deri lart në qiell.” – shkruhet në “Katedralja e Parisit”.
Katedralja e Notre-Dame në Paris është padyshim një objekt adhurimi për dy arsye: hyjnore dhe kulturore. Kur flasim për kulturë, nuk i referohemi vetëm vlerës së saj si një prej ndërtesat ikonë të arkitekturës gotike franceze, por edhe vlerës simbolike në letërsi. Zonja e Parisit ka qenë objekt frymëzimi për shumë shkrimtarë dhe libra-dashës, kulti i së cilës u skalit në 1831-shin nga pena e Viktor Hygos.
Teksa përshkruante historinë e Kuazimodos, shkrimtari e ndryshoi artistikisht në libër arkitekturën e katedrales. Më vonë, frymëzuar nga vepra, u shtua gryka qëndrore e katedrales gjatë një restaurimi në shekullin XIX.
Jo më kot, fill sapo vërshuan në rrjete sociale imazhet e Notre-Dame të përfshirë nga flakët, njerëzit nisën të postonin portretin e trishtuar të Kuazimodos. Nëse nuk e keni lexuar romanin e famshëm, le të shërbejë ky moment për një gjë të tillë.