Nëse s’e kishit marrë vesh, e morët tani. Sipas Top Channel, qeveria shqiptare do të ndihmojë financiarisht qeverinë franceze me 100 mijë euro për rindërtimin e Katedrales Notre-Dame në Paris, e cila u dëmtua nga zjarri pak ditë më parë.
Paralelisht, njeriu më i pasur në Francë, François –Henri Pinault dhuroi 100 milion euro. Berndard Arnault, rivali i të lartpërmendurit, dhuroi 200 milion euro. Brenda të mërkurës, qeveria siguroi rreth 850 milion euro dhurime nga kompani gjigande, familje të pasura franceze dhe korporata ndërkombëtare për të rindërtuar katedralen e famshme.
Natyrshëm, lind pyetja, “po gjithë këta burra të pasur, që dhurojnë miliona si të jenë monedha, pse s’bëjnë diçka për njerëzit në nevojë?” Me këtë pyetje u mor The New York Times.
Ndërsa ne kemi një pyetje më lokale. Pse ishte nevoja e një dhurimi kaq modest për të rindërtuar një katedrale në Paris që së pari s’ka aspak nevojë për ndihmën tonë dhe së dyti, shëben si shuplakë në fytyrë për gjithë shtresat e paprivilegjuara a në skamje në vend?
Si tha dhe Sara Hoxha, “me 100 mijë euro do i ndërrojmë bravën Notre-Dame. Aq kushton kuzhina ime.” Dhe ka të drejtë. Në këtë kontekst, janë shumë pak para. Por, vëri në duart e duhura dhe diçka e mirë do të dalë medoemos.