E përlotur, aktivistja adoleshente nga Suedia, Greta Thunberg, mbajti një fjalim-shuplakë në Parlamentin Europian në Strasburg, para zgjedhjeve të ardhshme në maj. Thunberg u bëri thirrje udhëheqësve të BE-së të veprojnë urgjentisht mbi ndryshimet klimatike, duke theksuar hipokrizinë sesa shpejt u mblodhën fonde për të rindërtuar katedralen e Notre-Dame në Paris, shumë më tepër sesa vetë kontributi i Francës në Fondin Green Climate.
Pas zjarrit në Notre-Dame, në një kohë rekord u grumbulluan rreth 1 miliard euro.
“E gjithë bota u dëshpërua për zjarrin në Notre-Dame në Paris, por Notre-Dame do të rindërtohet. Nëse shtëpia jonë do të copëtohej, asnjë nga liderët nuk do të vepronte siç veproi me Notre-Dame. E pra, kuptoni që shtëpia jonë po copëtohet disa-ditës dhe ende nuk po ndodh asgjë. Ju kërkoj të zgjoheni dhe të bëni çfarë është e nevojshme.” – u shpreh Greta.
Aktori britanik David Schneider ironizoi në Twitter: “Nëse do ta konsideronim aq të frikshëm shkatërrimin e planetit sa konsideruam djegien e Notre-Dame, atëherë do të bënim më shumë për ta mbrojtur atë.”
Në gusht të 2018- s, Greta Thunberg nisi një grevë pranë godinës parlamentare të Stockholm- it. Ajo deklaronte se nuk do të shkonte në shkollë të premteve derisa qeveria të ndiqte kushtet e Marrëveshjes së Parisit mbi Ndryshimet Klimatike, më saktë ngrohjen globale. Greta u bë e famshme në mbarë botën dhe protesta e saj gjeti mbështetje nga mijëra nxënës të 400 qyteteve në Evropë, SH.B.A dhe Australi. Për më tepër, Thunberg u nominua për çmimin Nobel për Paqen.
Këtë vit, të dhënat më të fundit raportuan se njerëzimi po përballet me epokën e një katastrofe të mundshme mjedisore. Sipas SH.B.A, në 20 vitet e ardhshme, temperatura mesatare globale do rritet me 1.5°C në krahasim me nivelin e periudhës paraindustriale. Kjo do të thotë se thatësirat apo përmbytjet do jenë më të shpeshta. Nëse ndodh që rritja e temperaturave të kapë shifrën 2 gradë, uraganët dhe mungesa e ujit e ushqimit do shndërrohen në kërcënim për miliona njerëz. Kështu deri në vitin 2030 duhet që niveli i CO2 në atsmosferë të jetë ulur me së paku 45%. Ndonëse shumë shtete kanë nënshkruar Marrëveshjen e Parisit, jo të gjitha po veprojnë në përputhje me rregullat.
Ngrohja globale ndër të tjera ka zvogëluar sipërfaqet e mbuluara nga bora si dhe ka rritur me 30% aciditetin e oqeaneve, duke shkaktuar zhdukjen e shumë gjallesave nënujore. Toka po iu përgjigjet dëmeve tona.