Edicioni i 55-të i Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar u shoqërua me kritika të shumta, asokohe më shumë për prezantuesen sesa për këngët. Ledina Çelo u shfaq me një fustan mjaft transparent dhe jo me dëshirën e saj. E ftuar në “Xing me Ermalin”, këngëtarja sqaroi edhe njëherë se e gjitha ishte një pasojë e mungesës së provave gjenerale.
“Festivali është dhe do të mbetet gjithnjë ai festivali që shyqyr qe kemi fatin që e kemi. Si gjithmonë, këto janë gabime që gjithmonë ndodhin në Shqipëri; ne nuk bëjmë prova gjenerale. Të them të drejtën nuk më pëlqeu vetja, nuk doja të dilja ashtu. Ekstravaganca ka qenë gjithnjë tek unë dhe nuk paragjykoj, skena i ka këto. Ishte një dalje pa provë.”
Megjithatë, ndryshe nga ç’priste, bashkëshorti i saj Naim Kabashi, ish-kampioni shqiptar nga Kosova në kick box, reagoi me stil:
“Ma tha me stil më vonë: ‘Dëgjo, se e teprove pak’. Ai është shumë liberal, por ne na vret opinioni. Unë gjithmonë nuk e kam vrarë mendjen, sepse jam artiste dhe artisti nuk duhet të paragjykohet.”
Paraqitja e këngëtares asokohe ngjalli kritika të shumta në rrjete sociale. “Kemi punuar bashkë në Festivalin e 42-të, ku ajo prezantonte si partnere e Adi Krastës. Ju lutem mos lejoni stilistë dhe rrobaqepës të pafytyrë të bëjnë shakara të tilla me të, në eventin kulturor më të rëndësishëm kombëtar”, shkroi atë vit prezantuesi Edi Oga. Nga ana tjetër, Olti Curri zgjodhi të komentojë pro këngëtares dhe prezantimit të saj. Ai u shpreh se Ledina është e vetëdijshme që s’është prezantuese dhe se “nuk ka ardhur për t’i zënë vendin askujt”.
“Unë e vesha me dëshirën time atë fustan, pasi edhe ndriçimi në atelie, ishte në parametrat e skenës kur bëmë provën. Gjithçka, siç e thashë më lart, ishte efekti surprizë i fotos së vjedhur me blic. Dua të përmend që ai fustan i zi që u përfol aq shumë, nuk ishte si qëllim në vetvete, por një foto e vjedhur me blic, me qëllime dashakeqe në drejtim të atij evenimenti. Kurrë nuk kam dashur të keqkuptohem e të ofendoj spektatorin dhe ato figura emblematike që i kanë dhënë atij festivali. Nuk shkuan gjërat ashtu siç mendova. Dua të përmend vetëm një fakt, që nuk kalova asnjë provë të vetme të lidhur nga fillimi deri në fund me artistët pjesëmarrës. Më saktë, do të thosha që nuk u bë qoftë edhe një provë gjenerale. Gjithashtu, skenarin e kam marrë në dorë dy orë para shfaqjes, në dy netët e fundit. Nuk e them këtë për t’u justifikuar, por kjo është e vërteta. Kam ardhur në Tiranë 10 ditë para festivalit, kam ndenjtur 5 ditë kot në hotel, duke mos patur asnjë material në dorë." - shpjegoi Ledina Çelo në dhjetor të 2016-s, në një intervistë për Gazetën Shqiptare.