
Kurrë më parë si në ditët e sotme fotografia s’ka qenë kaq e pranishme në jetët tona. Ne i bëjmë foto gjithçkaje, vetes, të dashurve, natyrës, pijeve në tavolinë, një pjate të bukur. Është një mënyrë për të mbajtur mend ditët e lumtura, por edhe një mënyrë për të mbajtur aktive rrjetet tona sociale. E di që kjo e dyta nuk është aq romantike sa e para, por është e vërteta. Dhe e vërteta s’mund të përcaktohet me një fjalë.
Duke pasur parasysh këtë dhe duke pasur parasysh verën që na pret, kërkova ndihmën e katër fotografëve shqiptarë. I pyeta cilat janë vendet më të bukura në Shqipëri për të realizuar foto fantastike që u shërbejnë të dy qëllimeve. Pra, që shërbejnë si kujtesë e ditëve të lumtura dhe që duken bukur për t’u ndarë me pjesën tjetër të botës. I vizitofshi posaçërisht a rastësisht vendet e listuara më poshtë, jam e sigurt që fotot e dasmës, pushimeve apo fotot për Instagram, do të mbahen mend.
Endrit Mërtiri rekomandoi Syrin e Kaltër të Kapresë, në Theth dhe s’e kam të vështirë të kuptoj pse. Uji i bruztë dhe burimi nga shkëmbi e bën peizazhin të duket tejet ekzotik. Nëse gjatë verës vizitoni veriun e Shqipërisë, mos humbisni këtë bukuri natyrore.
Eugenio Qose, i cili angazhohet më së shumti me editoriale, sugjeroi një zonë thuajse të pashkelur në Surrel, ku pamja është mbresëlënëse sidomos në ditët me dëborë të dimrit. Si të arrini këtu? Sapo të shihni restorantin NY Grill, kthehuni djathtas, ecni 300m dhe voila.

Olsi Beçi mesa duket, ka një dobësi për plazhet. Ai rekomandoi Plazhin e Gjeneralit në Kavajë, Plazhin e Kallmit në Durrës dhe Kepin e Rodonit në veri të Durrësit. Në të tre plazhet mund të realizohen video dasme që mbahen mend, apo jo?
Geljant Kaleci nuk përmendi as një, as dy, as tre vende, por e mori Shqipërinë mbarë. Kështu që, për t’ju lehtësuar ju punë, po i listoj më poshtë sipas qytetit.
Malësi e Madhe: Fushat me livando në Koplik

Shkodër: Ura e Mesit, Kalaja e Shkodrës, Shiroka
Lezhë: Laguna e Patokut, Rana e Hedhun
Tiranë e këtu rrotull: Kalaja e Prezës, Pallati i Brigadave, kur të hapet për publikun, Pylli i Pezës, Kalaja e Tiranës, rregulluar së fundi, Bulevardi i Ri, gjithë rruga në zbritje nga Dajti, veçanërisht bukur në pranverë dhe vjeshtë,
Durrës, Lalz: Kepi i Rodonit, gjithçka aty është perfekte për foto. Duke nisur nga plazhi, nga kodrat, kalaja, pylli, kisha, etj. Për referencë, shihni videon e “Te Molla,” realizuar në Kepin e Rodonit. Te Gjiri i Lalzit, Agroturizëm Huqi është ambient shumë i bukur.
Kavajë: Diku te Mali i Robit, në plazh ndodhet një zonë me gurë të hedhur në det. Edhe aty mund të realizohen foto fantastike. Kalaja e Bashtovës.
Elbasan: Kalaja në qendër dhe fshati Funar, 20 minuta larg qytetit.
Divjakë: Pyll i Divjakës, Laguna e Karavastasë. Është shumë bukur në verë, në perëndim të diellit. Mund të merrni varka dhe të bëni foto të papara për sa kohë shkoni para perëndimit, në të kundërt do t’ju hanë mushkonjat.
View this post on Instagram
Fier: Apollonia, Ardenica, Semani.
Berat: Kalaja e Beratit, sigurisht, Ura e Goricës.
Vlorë: Kriporet në Nartë janë një mrekulli në shtator sepse thahet uji dhe mbetet vetëm kripa që merr ngjyrën rozë. Duket si dicka jashtë kësaj bote. Pylli i Zvërnecit, përfshirë struktura me dru që të çon në Kishën e Zvërnecit. Edhe kisha është goxha e bukur, por nuk lejohet fotografimi. Në Kalanë e Kaninës, 10 minuta larg Vlorës, mund të bëhen foto të veçanta në fillim të majit a tetorit sepse është bosh dhe e sheh me sy tjetër. Gjithë Llogaraja, fshati i Qeparosë ka pamje shumë të bukur.
Sarandë: Vetë qyteti s’ofron shumë, por në Ksamil vizitoni Plazhin e Pulëbardhës dhe Kep Merli, që është goxha ekskluziv për momentin. Sigurisht, Syri i Kaltër i Sarandës, Butrinti në perëndim të diellit, liqeni i Butrintit.
View this post on Instagram
Gjirokastra: Antigonea pa arritur në Gjirokastër, kalaja dhe pazari janë rregulluar së fundi.
Korçë, Pogradec: Pazari i Korçës, gjithë zona e Drilonit në Pogradec. Fshati Lin, po në Pogradec, është zbukuruar shumë së fundi. Nëse keni mundësi, shkoni dhe në Shën Naum, në Maqedoni, është shumë afër.