Lorena Haxhiu, aktualisht zëvendësministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, para se të mbaronte studimet në Master Shkencor për Marketing në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, u angazhua fillimisht në televizion. Ajo ka prezantuar disa kohë më parë programet e mëngjesit në “Albanian Screen” dhe “Vizion Plus”.
Në një intervistë së fundmi për “My Living”, Haxhiu tregoi se pasi nisi të shkëputej nga televizioni dhe përfundoi studimet me rezultate të shkëlqyera, mendoi t’i përkushtohej një tjetër fushe.
“Gjatë periudhës së studimeve, e kisha reduktuar kohën që shpenzoja në televizion dhe isha në kërkim të diçkaje të re për veten,” u shpreh fillimisht ajo. “Pas angazhimit në fakultet si pedagoge e ftuar, një praktikë që ndiqet përgjithësisht nga institucionet e arsimit të lartë për studentët që përfundojnë me mesatare të lartë, në varësi të orëve të lira ata angazhohen në fakultet, shikoj në faqen e Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë një pozicion vakant, që lidhet me pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Kombëtar për Rininë. E diskutova me miqtë dhe aplikova. Pas aplikimit vazhduan procedurat dhe fitova.”
Pas kësaj eksperience, përzgjedhja e saj si zëvendësministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, erdhi natyrshëm. “Ka ardhur si një pasojë e një pune të vazhdueshme. Pa u shkëputur nga fusha, kalova në një nivel tjetër ku sigurisht edhe përgjegjësinë përsa i takon vendimmarrjes e kam më të lartë.”
Pas emërimit të saj, tituj të shumtë portalesh sollën në vëmendje fotot e saj gjatë periudhës kur punonte në televizion duke i cilësuar ato si “bombastike”(përgjithësisht foto me bikini në plazh).
“Unë e kuptoj që sot lufta dhe flamujt mund të ngrihen mbi disa klikime më shumë dhe mbi disa tituj për të joshur audiencën,” tha Lorena, “Por askush nuk e mbajti në mendje që audienca mua më ka njohur që kur isha 17 vjeç. Situata erdhi e qetë, nuk ishte e nevojshme të mbaja një qëndrim.”
Intervistën e plotë e ndiqni në vijim.