Më 19 gusht të vitit 2012, gazetari i mirënjohur Marin Mema u shpall i padëshiruar (“non grata”) nga autoritet greke, që e cilësuan si rrezik kombëtar për shtetin e tyre.
I ftuar mbrëmjen e sotme në “Në Kurthin e Piter Pan”, Mema rrëfeu diçka më shumë rreth ngjarjes së shtatë viteve më parë.
“Unë veten për djalë të mirë e mbaj, por se kanë frikë komshinjtë se themi ca të vërteta.” u shpreh gazetari , duke sqaruar se nuk ka një afat mbi marrjen e vendimit në fjalë.
Më tutje shtoi:
“Nuk do doja të bënim të njëjtën gjë me gazetarët grekë apo serbë. Ne jemi një vend që s’kemi asgjë për të fshehur, kushdo mund të vijë, të pasurojë traditën tonë. Jemi shumë të hapur, mikpritës si gjithmonë. Historia jonë është ajo që është dhe asnjë s’mund ta ndalojë dot.”
Ju kujtojmë se shkaqet e shpalljes së Marin Memës person "non grata" në Greqi qenë dy reportazhe të realizuara në "Shqipëria tjetër".
I pari kishte të bënte me trajtimin e problematikës në krahinën e Çamërisë dhe tjetri paraqiste fshatin e lindjes të patriotit shqiptar Papa Kristo Negovani. Asokohe, gjatë filmimeve, autoritetet greke ndaluan edhe grupin e xhirimit të Top- Channel- it.