Mesa duket, qarkullon një thashethem se Erion Isai, autor dhe një nga moderatorët e “B.E. Coffee” mund të kandidojë për bashkinë e Kolonjës. Dje, i ftuar në “Tempora,” Isai u pyet drejtpërdrejt nga Sonila Meço, por s’u përgjigj dhe aq drejtpërdrejt.
“Do të jesh kandidati për Bashkinë e Ersekës,” pyet Meço. “Ka kohë që kandidatët vendosen nëpër studio televizive, ka shumë kohë. Kjo që sapo the është një lajm që qarkullon në portale prej disa kohësh,” i përgjigjet Isai.
Meço i thotë se e mori për të mirëqenë dhe me sa kuptojmë nga përgjigja e Isait, thashethemi s’është krejtësisht i pavërtetë.
“Nuk ka për të mirqëenë për sa kohë nuk vendos Tempora, Sonila dhe Erioni, por Asambleja e Partisë Socialiste dhe sidomos vetë Kolonja. Unë kam 30 vite jetë, në të cilat 15 i kam kaluar në Kolonjë dhe 15 në kryeqytet. Marrëdhënien time me Kolonjën e kam parë gjithmonë si angazhim që do të thotë se atë çfarë kam pasur mundësi të bëj dhe ta jap e kam dhënë, do ta jap sa herë të më jepet mundësia dhe të kem mundësi.
Marrëdhënia ime me Kolonjën është fundi i funksionit dramaturgjik të Shekspirit që vazhdon dhe kërkon pse-në deri në momentin kur përgjigja është sepse e dua. Kolonjën e dua dhe kaq. Mjafton që unë të kem një munësi t’i tregoj mirënjohjen atij qyteti. Dhe jap kontribut artistik sa herë më kërkohet, sa herë kam mundësi në çdo lloj angazhimi. Kolonjën e shoh si angazhim, çfarë unë kam mundësi ta bëj për atë qytet, do ta bëj gjithmonë,” tha ai.
Pra. Po?