Ilira Gashi është një tjetër emër që i shtohet listës së gjatë të këngëtarëve me origjinë shqiptare të cilët po bëjnë namin në muzikë duke u renditur në vendet e para në klasifikime. E lindur në Zvicër nga dy prindër shqiptarë, nëna nga Tirana ndërsa babai nga Prishtina, Ilira iu përkushtua muzikës që në moshë të re.
Ndonëse suksesi i saj në muzikë po zgjerohet dita-ditës, Ilira nuk është pa përvojë. Gati një dekadë më parë, ajo ishte pjesëmarrëse në “Kënga Magjike” me këngën “Tek”.
Po kështu ka qenë konkurrente edhe në Top Fest, ku kënga e saj më e famshme është “Shoku im më i ngushtë”:
“Ti je unaza në gishtin e saj, varsja e saj,
Ti je baluke në flokun e saj, dielli mbi qepall,
Trishtimi në syrin e saj...”
Së fundmi, Gashi po bëhet gjithnjë e më e njohur falë këngëve dhe bashkëpunimeve të suksesshme. I fundit qe “Diablo” me Juan Magán, dedikuar të gjithë njerëzve që përjetojnë marrëdhënie abuzive. Qëllimi i “Diablo” është që njerëzit të kërcejnë, qoftë edhe përmes lotëve.
Të tjera këngë nga artistja e talentuar i gjeni në kanalin e saj në YouTube.