Sipas portalit ZentraPlus.ch, Gjykata e Kantonit në Zvicër ka bërë të ditur se Prokuroria ka bllokuar të gjitha llogaritë e Loredana Zefit. I kontaktuar nga Gazeta Blic, avokati i reperes, Tomë Gashi, u shpreh se “nuk beson të jetë e vërtetë”.
“Absolutisht nuk besoj se kjo është e vërtetë. Por edhe nëse ka ndodhur, bllokimi i llogarive bankare të kujtdo qofshin është një procedurë e rregullt dhe normale kur kemi të bëjmë me një çështje të hetimit,” theksoi ai. “Këto procedura zhvillohen kudo në botën e civilizuar. Posaçërisht kur kemi të bëjmë me çështje që ndërlidhen me paqartësi financiare. Në fund të hetimit do të konstatohet apo vërtetohet se a kemi të bëjmë me çështje civilo-juridike apo penalo-juridike.”
Loredana u arrestua mbrëmjen e 7 majit pas akuzave për mashtrim, kërcënim dhe zhvatje në Zvicër, ndërsa më pas u la e lirë. Të tjera akuza u ngritën për reperen, fillimisht nga një person që pretendoi se ishte ish-shoqja dhe më pas nga avokati, emri i të cilit mendohet se është keqpërdorur nga Loredana. Për të sqaruar situatën, reperja dha një konferencë për mediat në prani të avokatëve të saj. Nëse akuzat rezultojnë të vërteta, pritet që ajo të dënohet deri në 5 vite burg.