Më 7 maj, Alban Skënderaj dhe Miriam Cani kurorëzuan dashurinë e tyre 12-vjeçare në Maldive, pranë vendit ku Albani bëri propozimin e famshëm nën ujë vite më parë. Gjithçka ishte surprizë deri kur çifti vendosi të publikonte fotot e dasmës intime pak javë më parë.
I pyetur nga Prive, këngëtari tregoi për eksperiencën e tyre në Maldive. Si fillim, martesa nuk ishte qellimi i vetëm. Dyshja bëri muajin e mjaltit, u martuan pranë njerëzve të dashur dhe madje, xhiruan videoklipin e këngën më të re, “Duamë”.
“Ishte eksperiencë e paparë, pak e lodhshme, por shumë e bukur! Ishte një ndjenjë fantastike! Ne nuk kemi qenë ndonjëherë shumë për këto dasmat me pompozitet, madhështore, apo me shumë njerëz. E kemi pak të vështirë, se jemi natyra të tilla.
Për ne ishte fantastike të kishim njerëzit tanë afër, vajzën tonë në atë vend magjik, ishte pikturuar vetë gjithçka, s’kishte nevojë për dekor. Fakti që ne ishim fejuar aty në të njëjtin vend për ne ishte diçka shumë speciale, ndoshta simbolike, por gjithsesi një kujtim i bukur!”- përfundoi Albani.
Nuk kaloi shumë nga ajo ditë, kur dyshja dha surprizën e radhës gjatë koncertit në Prishtinë. Albani dhe Miriami do të bëhen prindër për herë të dytë!