Taylor Swift e cilësoi si “skenarin më të keq” faktin që të drejtat e këngëve të saj iu shitën një kompanie në pronësi të menaxherit të artistëve të famshëm botëror, Scooter Braun.

Duke pohuar se Braun ka ushtruar bullizëm ndaj saj për vite me radhë, Taylor bëri me dije se këngët e saj me Big Machine Label Group përfunduan te Braun, i cili menaxhon Justin Bieber, Ariana Grande-n dhe Zac Brown Band.

Ithaca Holdings e Braun bleu Big Machine Label Group nga themeluesi Scott Borchetta si pjesë e një marrëveshjeje prej 300 milionë dollarësh, raporton Billboard. Swift nënshkroi me labelin nga viti 2006 për albumin e saj debutues deri në vitin 2017, para se të shkonte të Universal Music Group. Kjo do të thotë se këngëtarja nuk ka asnjë të drejtë për projektet e mëparshme muzikore.

“Për vite me radhë, kam kërkuar një shans për të pasur punën time, por nuk më është dhënë mundësia,” shpjegoi ajo. “Më duhej të bëja zgjedhjen e tmerrshme për të lënë pas të kaluarën: Muzikën që kam shkruar në dhomën e gjumit, videot që i kam paguar nga lekët që fitoja duke kënduar në bare, klube e më pas nëpër stadiume.”
Në vijim, Taylor shton se Scooter Braun “ka zhveshur punën e jetës së saj”. “Në thelb, trashëgimia ime muzikore është gati të vendoset në duart e dikujt që u përpoq ta shkatërronte. Ky është skenari më i keq. Kështu është kur nënshkruan kontratë kur je 15 vjeçe me dikë që nuk e njeh besnikërinë.”
Më pas, këngëtarja postoi një screenshot të një videoje ku shfaqej Justin Bieber, Sooter Braun dhe Kanye West që talleshin me Taylor-in. “Ky është Scooter Braun, personi që ushtronte bullizëm për mua në rrjete sociale në kohën kur isha e shkatërruar. Ai do të ketë të drejtën e të gjithë muzikës që kam shkruar deri tani.”
Nga ana tjetër, Justin Bieber reagoi në Instagram duke kërkuar fillimisht falje për videon. “Në atë kohë kam menduar se ishte për të qeshur,” shpjegoi ai. “Më pas, kuptova që ishte e pahijshme. Në fakt ishte Scooter personi që më tha që videoja nuk ishte një shaka”.
Justin thekson gjithashtu se mungesa e komunikimit mes tyre e ka acaruar më keq situatën, por megjithatë nuk e përkrah Taylor-in për faktin që zgjodhi t’i diskutonte në rrjete sociale të tilla çështje. “Çfarë po përpiqesh të arrish? Pra, po i përdor rrjetet sociale që njerëzit të urrejnë Scooter-in?”
Megjithatë, këngëtari shprehet gjithashtu se ai dhe menaxheri i tij kanë vetëm dashuri për Taylor-in dhe gjërat mund të zgjidhen nëse komunikojnë. Ndonëse Bieber nuk e ka në natyrë të reagojë për çështje të tilla, sipas tij, “Taylor e kaloi cakun”.