Muzika

Pse Loredana, Ardian Bujupi dhe Butrint Imeri i publikuan këngët në mesnatë

Shkruar nga Anabel

2 Gusht 2019

Pse Loredana, Ardian Bujupi dhe Butrint Imeri i publikuan këngët

Dje, një minutë para mesnate, u publikuan tre këngë nga artistë shqiptarë: Loredana & Mozzik – Eiskalt, Ardian Bujupi feat. Elvana Gjata – Meine Liebe dhe Butrint Imeri & Nimo – Dream Girl. Kjo rastësi ose jo, na ra në sy dhe prandaj bëmë disa kërkime.

Mesa duket, publikimi i projekteve në orare kur nuk ka fluks shikuesish është një taktikë që ndiqet në industrinë e muzikës për dy arsye.

Së pari, duke qenë se këngëtarët e njoftojnë kohën e publikimit dhe duke marrë parasysh se bëhet fjalë për një orë të vonë siç është mesnata, fansat mblidhen dhe presin që të dëgjojnë projektin më të ri të të preferuarit të tyre. Kështu, krijohet një fluks i nxitur shikimesh. “Eiskalt” dhe “Dream Girl” kanë thuajse gjysmë milioni klikime sot, ndërsa “Meine Liebe” rreth 200 mijë.

Së dyti, të treja këngët kanë artistë që njihen në tregun gjerman e synojnë të jenë më të suksesshëm nga ç'janë. Përmes fluksit të lartpërmendur që krijojnë, këngët kanë më shumë shanse të hyjnë në klasifikime të nesërmen në mëngjes a një ditë më vonë, pasi janë dëgjuar shumë për një periudhë të shkurtër kohore.

Një tjetër taktikë që përdoret për të rritur shanset që kënga të dëgjohet sa më shumë, është minutazhi i shkurtër. Le të përmendim “Fustani,” i Capital T dhe Elvana Gjatës. “Fustani” është vetëm 2:31 e gjatë dhe duket sikur më shpejt mbaron se fillon. Prandaj, shumëkush e dëgjon sërish. Në një muaj, kënga ka arritur 14 milionë shikime.

Kjo është loja dhe këto janë rregullat. Nëse ka mënyra për të dalë përpara, gjë që artistët në këtë artikull i kanë gjetur, aq më mirë.