Në një intervistë për “Pushime on Top” në Top Channel, Dritan Shakohoxha foli ndër të tjera edhe për largimin e Ilda Bejlerit nga Supersport në Digitalb.
“Ndoshta nuk e përjetoi mirë lajmin që i dhashë. Përveçse trajner, jam edhe brigadier dhe kjo është periudha e verës; në verë ne ribëjmë dhe rikompozojmë skuadrën,” u shpreh ai. “Ilda u bë shumë vite [te ne]; unë e kam marr në fillim në televizion bashkë me çunat e stafit dhe po ne vendosëm që këtë vit të shihte një program tjetër.”
Më tej, ai shtoi se “Ilda e përjetoi me emocion largimin nga Digitalb”. “Ne jemi që ia dhamë mundësinë dhe ajo e shfrytëzoi si profesioniste dhe po ne jemi që thamë se do ta ndërrojmë. Kështu funksionon.”
Përsa i përket debatit të tyre – që thuhet se lidhet me protagonizmin e njërës palë – në një intervistë për Gazeta Shqiptare, Ilda u shpreh: “Natyrisht që do të isha protagoniste, kam 11 vite në Digitalb. Besoj se protagoniste kam qenë në punën time, në atë që di të bëjë më mirë. Ndaj mendoj që shpërblimin e publikut e kam të merituar.”
“Po është e vërtetë që jam larguar, tashmë mund të konfirmoj se do të kthehem së shpejti në televizion, këtë herë në Top Channel, megjithatë do të doja t’jua lija surprizë. E di që tingëllon si ‘cliche’, por do të doja të ishte një surprizë e bukur për të gjithë publikun, ndaj do të presim dhe pak,” përfundoi ajo.
Për momentit, përflitet se moderatorja do të vendoset te “Procesi Sportiv” ose “E Diell”.