“Teenage Dream” është një nga këngët më të suksesshme në karrierën e Katy Perry-t, ndërsa videoklipi nuk harrohet lehtësisht falë skenave seksi me modelin Josh Kloss. Në përvjetorin e nëntë të publikimit të albumit “Teenage Dream,” modeli në fjalë thotë se Katy u soll në mënyrë të papërshtatshme me të në një event shoqëror.
Në një seri postimesh në Instagram, Kloss tregon historinë e tij me këngëtaren dhe thotë: “U takova me Katy dy herë pasi u nda nga Russel [sic]. Një nga herët, mora një shok me vete që donte shumë ta takonte. Ishim në festën e ditëlindjes së Johnny Wujek. Kur e pashë, u përqafuam dhe kuptova se kisha ende pëlqim për të. Në momentin që u ktheva të prezantoja shokun tim, Katy më uli tutat dhe mbathjet që t’i tregonte penisin tim shoqërisë së saj dhe turmës rreth e rrotull. E merrni dot me mend sa i turpëruar dhe patetik jam ndjerë në atë moment?”
Kloss shton se nuk tha gjë asokohe sepse donte të vijonte të punonte me Katy-n dhe i duheshin paratë. Gjithashtu, ai thotë se është urdhëruar nga përfaqësuesit e këngëtares të mos diskutojë publikisht asgjë në lidhje me Katy-n. “Dy intervistave iu përgjigjën ata sikur të ishin unë dhe redaktuan shumicën e përgjigjeve,” shton ai.
Në dy postime të tjera në Instagram, Kloss thotë se e ndau me botën historinë e tij për të demonstruar se njerëzit e pushtetshëm mund të jenë abuzivë përtej gjinisë. “Gëzuar përvjetorin një prej punëve më konfuzuese, abuzive dhe përulëse që kam bërë ndonjëherë,” shkruan Kloss.