Koncerti i reperit algjerian Abderraouf Derradji, i njohur si Soolking, u kthye në tragjedi pasi turma e panikosur vrau 5 persona dhe plagosi 21 të tjerë në stadiumin e kryeqytetit Algiers, ku ishin të pranishëm mijëra fansa të reperit. Në një reagim në Instagram, Soolking shpjegon se nuk ishte në dijeni të tragjedisë, në të kundërt nuk do të kishte performuar kurrë.
“Mësova për humbjen e pesë jetëve të pafajshme si pasojë e turmës. Të mos flasim për numrin e të lënduarve,” shkruan reperi. Jemi të gjithë të shkatërruar dhe të shokuar, por nuk mund ta krahasojmë dhimbjen me atë që ndiejnë familjarët e viktimave. As unë, por as edhe artistët e tjerë, nuk ishim në dijeni për tragjedinë para koncertit, gjë që shpjegon faktin pse u mbajt koncerti. Në të kundërt, asnjë prej nesh nuk do të kishte shkelur në skenë. U shprehim keqardhjen dhe ngushëllimet tona familjeve të viktimave duke u lutur që Zoti t’i pranojë pranë vetes.”
E pranishme në koncert qe edhe Dhurata Dora, e cila po ashtu ka shprehur ngushëllimet e saj në lidhje me incidentin tragjik. “Faleminderit Algjeria për mikpritjen e ngohtë. Ju dua. Por lajmet më kanë trishtuar. U prehshi në paqe,” shkruan ajo.
Një gazetare e pranishme në koncert, Linda Chebbah, tha për BBC që “kishte shumë njerëz në stadium. ”Kishte aq shumë njerëz në stadium, sa nuk çuditem që ka ndodhur një aksident.”
Dëshmitarët thanë për TSA News në Algjeri se turma e panikosur u shkaktua nga një problem i administratës në hyrje të stadiumit. 21 të lënduarit e tjerë nuk janë në gjende të rrezikshme për jetën, ndërsa 5 viktimat u raportuan se ishin të rinj, tre djem dhe dy vajza.