Ndeshja Francë-Shqipëri, e mbajtur më 7 shtator, do të kujtohet gjatë për gafat e ndodhura gjatë saj. Fillimisht vendosja e himnit të gabuar dhe jo atij shqiptar dhe së dyti, gafa e përsëritur e spikerit.
Teksa i kërkonte falje kombëtares për vendosjen e himnit të Andoras, në vend që të thoshte emrin e vendit tonë, përmendte Armeninë në mënyrë të përsëritur.
Pas ndjesës zyrtare të presidentit francez drejtuar kryeministrit Rama, personi përgjegjës për gafën tregon sa keq u ndje gjatë këtij momenti.
I pyetur nga e përditshmja franceze L’Equipe, folësi i quajtur Max, tha se gafa ndaj Shqipërisë ka qenë gabimi më i madh që ka bërë ndonjëherë.
"Nuk kam fjetur për 2 ditë rresht pas atij incidenti!"- tregon Max, i cili që prej 2012 është spikeri zyrtar i kombëtares franceze. Edhe pse numëron 50 vite karrierë në Stad de France, ja që një gafë e tillë mund të ndodhë.