Sot, filloi të përflitej gjerësisht mbyllja e INTv, televizionit me në fokus të rinjtë, muzikën, serialet e filmat. Burime për Anabel konfirmojnë se INTv është në proces operacional dhe ende nuk është mbyllur përfundimisht. Gjithsesi, televizioni nuk po promovon asnjë emision të ri dhe as pritet të nisë transmetimin e ndonjërit prej ekzistentëve. Pronari i ri i televizionit është tërhequr dhe punonjësit e stafi janë në pritje të shlyerjes së detyrimeve që televizioni ka ndaj tyre.
Momentalisht, portali i INTv vijon të operojë, ndërsa faqja në Instagram, @INTvAlbania, nuk është e aksesueshme.
Anabel tentoi të kontaktonte një përfaqësues të televizionit, por nuk pati pergjigje.
Për sa i përket disa prej emrave më të njohur të INTv, Fatma Methasani përflitet se do të largohej gjithsesi nga ekrani ngaqë aludohet se është shtatzënë, ndërsa Ermal Peçi do të jetë pjesë e edicionit të gjashtë të “Dance with Me”.
INTv shërbeu si shtëpi për sezonin e parë të “Hostel by Anabel”. Më 11 qershor të 2018-s, INTv transmetoi episodin e parë të një formule të re e guximtare që u kthye shumë shpejt në fenomen.