Është vetëm 16 vjeçe, por prej pak kohësh Greta Thunberg trondit opinionin publik me fjalimet e saj, që kanë në qendër ndryshimet klimatike dhe mosveprimin e shteteve të fuqishme, me në krye SHBA-në. Sot (23 shtator), 16-vjeçarja u ftua për të diskutuar në Samitin e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike.
“Kjo është e gabuar. Unë nuk duhet të isha këtu. Duhet të isha në shkollë, në anën tjetër të oqeanit, por sërish ju vini te ne, te të rinjtë, për pak shpresë. Si guxoni?! Më keni vjedhur ëndrrat dhe fëmijërinë me fjalët tuaja boshe, por sërish jam me fat. Sepse ka njerëz që po vuajnë. Ka njerëz që po vdesin. Ekosisteme të tëra po shemben,” u shpreh ajo e përlotur në një pjesë të fjalimit, duke marrë duartrokitje të vazhdueshme.
Në vijim, Thunberg kërkoi të theksonte se “planeti është në fillim të një zhdukjeje masive”, por sërish, politikanët, ende flasin për “përrallat e rritjes ekonomike”. Ajo beson se ata nuk e kuptojnë sa urgjente është kriza e klimës. “Ju po na lini në baltë, por ne të rinjtë e kemi kuptuar se po na tradhtoni. Nëse nuk na dilni për zot, nuk do t’ju falim kurrë,” tha ajo. “Bota po zgjohet dhe do ta ndryshojë fatin e saj, ju pëlqen ose jo.”
Gjatë fjalimit, Donald Trump, që ka zhbërë shumë rregullore të Kombeve të Bashkuara në luftën kundër ndryshimeve klimatike, u shfaq papritur, ndonëse nuk ishte parashikuar të merrte pjesë. Reagimi i Greta-s qe as më pak e as më shumë se kështu:
Kush është Greta Thunberg?
Në gusht të 2018-s, nxënësja nga Suedia nisi e vetme një grevë pranë godinës parlamentare të Stockholm- it. E mitura deklaronte se nuk do të shkonte në shkollë të premteve, derisa qeveria të ndiqte kushtet e Marrëveshjes së Parisit mbi ndryshimet klimaterike, më saktë ngrohjen globale. Greta u bë e famshme në mbarë botën dhe protesta e saj gjeti mbështetje nga mijëra nxënës të 400 qyteteve në Evropë, SH.B.A dhe Australi.
Në një fjalim të gjatë, Greta shpjegoi se dëgjoi për herë të parë të flitej rreth ngrohjes globale në moshën 8- vjeçare dhe se shpenzoi disa vite të jetës së saj për të lexuar e mësuar më shumë rreth çështjes në fjalë. “Nëse djegia e lëndëve të rrezikshme është një kërcënim i madh për ekzistencën tonë, atëherë pse vazhdojmë ta bëjmë?” u shpreh ajo.
Kështu, Greta vendosi të mos fluturonte më me avion dhe të blinte vetëm rroba që i nevojiteshin vërtet. Kur kritikët shprehen se greva e saj s’është gjë tjetër veçse një mënyrë legjitime për të lënë shkollën, ajo iu përgjigj: “Pse duhet të studioj për të ardhmën time, kur mund të mos kem fare një të ardhme?”.
Pas fjalimeve të saj të shumta, Thunberg u shndërrua në yllin e protestës ekologjike. Nxënësit kanë krijuar një lëvizje golabe të quajtur Fridays For Future (Të premtet për të ardhmen), me qëllim shpëtimin e planetit. Ajo i kërkon kujto që studion, që çdo të premte ta lërë shkollën, të bëjë një fotografi dhe ta postojë në rrjetet sociale me hashtag-un #FridaysForFuture.
Po kështu, adoleshentja nga Suedia mbajti një fjalim-shuplakë në Parlamentin Europian në Strasburg, para zgjedhjeve në maj. Thunberg u bëri thirrje udhëheqësve të BE-së të veprojnë urgjentisht mbi ndryshimet klimatike, duke theksuar hipokrizinë sesa shpejt u mblodhën fonde për të rindërtuar katedralen e Notre-Dame në Paris, shumë më tepër sesa vetë kontributi i Francës në Fondin Green Climate.
“E gjithë bota u dëshpërua për zjarrin në Notre-Dame në Paris, por Notre-Dame do të rindërtohet. Nëse shtëpia jonë do të copëtohej, asnjë nga liderët nuk do të vepronte siç veproi me Notre-Dame. E pra, kuptoni që shtëpia jonë po copëtohet disa-ditës dhe ende nuk po ndodh asgjë. Ju kërkoj të zgjoheni dhe të bëni çfarë është e nevojshme.” u shpreh ajo. (Pas zjarrit në Notre-Dame, në një kohë rekord u grumbulluan rreth 1 miliard euro).
Greta Thunberg u nominua për çmimin Nobel për Paqen për vitin 2019 krahas 301 kandidatëve (223 njerëz dhe 78 organizata), u shpall një nga 25 adoleshentët më me influencë për vitin 2018 nga Time dhe u përfshi nga Meghan Markle në kopertinën e Vogue si një nga 15 gratë që kanë frymëzuar dukeshën.