Celebrity

Elton John e quan Michael Jackson ‘të sëmurë mendërisht’

Shkruar nga Anabel

14 Tetor 2019

Elton John e quan Michael Jackson ‘të sëmurë

Elton John thotë se në vitet e fundit të jetës, Michael Jackson të jepte përshtypjen se ishte i sëmurë mendërisht – që e bëri Elton të besonte se për Mbretin e Popit nuk kishte më shpresë.

Në librin e tij të ri me kujtime, të titulluar “Me,” Elton John flet goxha për Michael Jackson. Disa media kanë shtënë në duar një kopje të librit që del në treg të martën dhe po diskutojnë më së shumti fragmentin ku Elton përshkruan gjendjen mendore të artistit.

“E njihja Michael që kur ishte 13 a 14 vjeç... Ishte një fëmijë shumë i lezetshëm. Po në një moment, filloi të izolohej nga bota, nga realiteti, porsi Elvis Presley. Një Zot e di ç’i shkonte ndër mendje dhe një Zot e di ç’drogëra po merrte, por sa herë që e takoja, vitet e fundit të jetës, e vetmja gjë që mendoja ishte se ky i gjorë e ka humbur,” shkruan John. ‘Nuk e them me lehtësi e as me gjysmë zemre. Ishte vërtet sëmurë mendërisht. Ishte e vështirë të kaloje kohë me të.”

Më pas, Elton përshkruan një rast, ku ftoi Michael në një festë në shtëpinë e tij dhe thotë se shkurtimisht pasi mbërriti, Michael u largua nga të ftuarit e tjerë dhe filloi të luante me djalin e shërbëtores së Elton. “Për arsye që s’i kuptoj, nuk e përballonte dot shoqërinë e të rriturve,” shton këngëtari.

Michael Jackson u nda nga jeta në vitin 2009. Së fundi, është bërë sërish kryefjala e titujve pasi akuzohet për ngacmim seksual nga Wade Robson dhe James Safechuck, historia e të cilëve përshkruhet në dokumentarin “Leaving Neverland” nga HBO.