Rina Balaj njoftoi se “për arsye personale, për një kohë të caktuar, nuk do të jetë aktive”në muzikë. Shkurtimisht më pas, Instagrami i reperes u bë i paaksesueshëm. Burime për Prive raportuan se shkak janë mosmarrëveshjet me kompaninë që e menaxhon, On Records, pasi nuk mundi të shkëpuste me mirëkuptim kontratën me ta.
Pak orë më parë, Met Elshani, pronar i On Records, u prononcua mbi lajmin në Instagram. “Hajde, gënjeshtër hajde. Rina bën pauzën me kërkesë të sajën, për arsye personale dhe ne ja kemi aprovuar. Derën e On Records e ka të hapur kurdo të vendosë të merret prapë me muzikë. Lërini këto gënjeshtra. On Records ka zbuluar dhe ka ngritur talente të cilët sot fitojnë me qindra mijëra euro, mos u mundoni të nxirrini On Records të keqin sepse është e kundërta. Këta artistë që s’i ka njohur askush ia kanë parë hajrin ON Records dhe sot i shijojnë benefitet që kanë çdo ditë falë nesh. Kush do të jetë mirënjohës, mirë. Kush do të thotë jam self made, jo nuk je,” shkruan ai mbi një raportim të lajmit.
Ndërsa për Telegrafin, Elshani tha se me Rinën ka raporte shumë të mira. Madje, ajo e uroi për ditëlindjen e të bijës. “Rina është distancuar pak nga muzika për momentin dhe kjo u bë e ditur përmes rrjeteve sociale, ndërsa arsyet e marrjes së këtij vendimi, i di vetë ajo. A do të kthehet apo jo, ky është vendim që tashmë i takon asaj. Ne si label shqyrtuam kërkesën e saj për pauzë në muzikë, dhe ia aprovuam pasi nuk mund të 'detyrojmë' dikë që të këndojë”, tha menaxheri aktual i reperes.