Me siguri që Jen Rose Smith – kuzhiniere që ka pasion udhëtimin dhe aventurat nëpër vende të ndryshme të botës – nuk i ka rënë rruga në Shqipëri, pasi medoemos do të vendoste të paktën një lloj buke tipike shqiptare në listën me “50 bukët më të mira në botë”.
Për aq kohë sa ne themi “më hahet bukë” në vend të “kam uri” ose “bukë” në vend të “gjellë”, sigurisht që kemi një lidhje të fortë me bukën. Kushdo që për shkak të dietave e ka patur të detyruar të mos hajë bukë, e kupton më së miri mungesën e saj.
Kur përmend fjalën bukë, ndoshta e para që të vjen në mendje është buka e ngrohtë me miell gruri e bërë në shtëpi, shoqëruar me vaj ulliri, kripë, rigon, djathë të bardhë, domate dhe kastravecë.
Qëndrojmë te shtëpia dhe radhën e ka kulaçi i butë i gjyshes, gatuar me sodë, vezë dhe kos.
Kujt nuk i shkon goja lëng kur mendon shijen e bukës me vezë dhe gjalpë me pak borzilok dhe djathtë të grirë sipër?!
I shtojmë bukës me vezë pak spinaq, gjizë, kripë dhe piper të zi dhe ja tek realizuam një tjetër recetë të shijshme.
Nuk mund të lëmë pa përmendur as bukën e lepurushit, perfekte për vaktin e mëngjesit, sidomos kur shtojmë reçel dhe gjalpë.
Në mos bukë lepurushi, simitet e ngrohta zor se mungojnë mëngjeseve.
Të mos flasim për simitet me ullinj, ku ndihet aroma e vajit të ullirit dhe rigonit.
Vazhdojmë tani me pogaçen e ngrohtë, perfekte për t’u shoqëruar me djathë ose gjizë.
Për adhuruesit e bukës në tërësi, kemi recetën “bukë me bukë” – bugaçen e Elbasanit.
Kërkojmë ndjesë paraprakisht për këdo që ndihet i uritur dhe e mbyllim këtë artikull me bukën me miell misri shoqëruar me domate të freskëta, djathë dhe gjalpë. Ah, keni edhe një sondazh në vijim.