Në një KFC në Afrikën e Jugut, i rrethuar nga karrige plastike të kuqe, një burrë ulet në gjunjë. Turma aty pranë shpërthen në duartrokitje dhe brohorima teksa ai vë unazën në gishtin e të fejuarës së tij. Gruaja, ulur pranë një racioni me patate, fshin nga fytyra lotë gëzimi.
Këtu nisi përralla e çiftit.
Një i pranishëm, Kateka Malobola, filmoi propozimin dhe e postoi në rrjetet sociale. Deri më tani, është parë mbi 1.4 milion herë në Twitter. Të enjten, KFC falenderoi Malobola-n që filmoi momentin e veçantë dhe kërkoi ndihmë nga ndjekësit që të identifikonin dyshen.
Mzansi please help us find this beautiful couple, re batla ho ba blesser DM us any leads, there might be a Finger Lickin' Good surprise in it for you too. Batho ba Vaal re thuseng! We love love #KFCProposal pic.twitter.com/6bj89dtj4j
— KFC South Africa (@KFCSA) November 7, 2019
Me shpejtësi, të dashuruarit në video u identifikuan si Bhut’ Hector dhe Nonhlanhla.
Vendasit bashkuan forcat për të organizuar një dasmë madhështore për çiftin. Disa u ofruan të krijonin ftesat, të tjerë premtuan veshjet tradicionale.
Madje, u krjua një listë për transparencë dhe që dikush të ofronte diçka që s’e kishte ofruar dikush tjetër. Në listë gjenden tenda, dele dhe këpucë serioze.
Më pas, u përfshinë edhe bizneset që ofruan transport, ushqim dhe pije falas për ditën e veçantë të çiftit dhe muajin e mjaltit.
“Destinacionet e muajit të mjaltit qenkan larg. Dikush duhet t’ju çojë atje. Ju çojmë ne,” shkruajti llogaria zyrtare e Audit në Afrikën e Jugut.
“Porsi pula dhe cola që janë dyshja perfekte. Pijet në dasmën tuaj i keni nga ne,” shkroi Coca Cola South Africa.
“Dua të performoj falas në dasmën tuaj,” tha kantautori Zakes Bantwini. “E dua dashurinë.”
DRUM Magazine i ofroi çiftit dy faqe në numrin e tyre të radhës.
Të vetëdijshëm se planifikimi i një dasme të streson, Sony Movies i ofroi bileta në kinema dhe kokoshka për t’u relaksuar.
Çifti falenderoi gjithë njerëzit që po i ndihmojnë përmes një deklarate për Sowetanlive.co.za. Ata qartësuan se janë martuar për herë të parë në vitin 2012, por dhëndri s’ishte i lumtur me unazat që kishte blerë asokohe dhe donte t’i dhuronte të shoqes diçka më të mirë.
“Nuk punoja dhe s’kisha mjaftueshëm të ardhura për t’i dhënë gruas time diçka të denjë për të,” tha Hector. “Faleminderit Afrika e Jugut. Dhembshuria juaj na ka ngrohur zemrat. S’na e merrte mendja kurrë se dashuria jonë do të prekte kaq shumë njerëz.”
Burimi: Washington Post, BBC