Frika më e madhe për këngëtarët është të mos jenë në gjendje të performojnë këngët e tyre dhe Taylor Swift po përballet me një situatë të tillë. Në një postim në Tumblr, Taylor deklaroi se e ka të pamundur të performojë këngët e saj të vjetra, për shkak se ish-kompania me të cilën bashkëpunonte nuk ia lejon.
“Njerëz, siç e dini është bërë me dije kohëve të fundit që unë u vlerësova nga American Music Awards si Artistja e Dekadës dhe do të performoj në ceremoninë e këtij viti. Ishte planifikuar që të performoja disa nga hitet e dekadës. Scott Borchetta dhe Scooter Braun kanë thënë se nuk më lejohet të këndoj këngët e vjetra.”
Shën.red. Taylor Swift ka fituar 23 çmime AMA, më shumë se kushdo tjetër gjatë kësaj dekade. Po kështu, është këngëtarja femër që ka rrëmbyer më shumë trofe në American Music Awards. Për herë të parë që pas vitit 2000, kur Garth Brooks u vlerësua për arritjet e tij në muzikë përgjatë viteve ’90, AMA do të japë sërish çmimin “Artisti më i mirë i dekadës”, që siç e kuptuat shkoi për Swift.
Në vijim, Taylor shton se Netflix ka realizuar një dokumentar për jetën e saj në të kaluarën dhe dokumentari përmban pjesë nga performancat e shkuara të këngëtares, të cilat sërish nuk mund të përdoren pa lejen e Borchetta-s dhe Braun.
Shën.red. Ithaca Holdings e Braun bleu Big Machine Label Group nga themeluesi Scott Borchetta si pjesë e një marrëveshjeje prej 300 milionë dollarësh. Swift nënshkroi me labelin nga viti 2006 për albumin e saj debutues deri në vitin 2017, para se të shkonte të Universal Music Group. Kjo do të thotë se këngëtarja nuk ka asnjë të drejtë për projektet e mëparshme muzikore.
“Scott Borchetta i tha ekipit tim se do të më lejojë të përdor muzikën time vetëm nëse bëj këto gjëra: Nëse bie dakord që të mos regjistroj versione të këngëve origjinale (që është diçka që lejohet me ligj dhe mezi po pres) dhe gjithashtu që të mos e përmend më emrin e tij dhe të Scooter Braun.”
Më tej, Taylor shton se “kërkon të ndihmojë ata që ndihen të pafuqishëm përballë një situate të tillë”. “Mesazhi që po dërgohet është i qartë,” shkruan ajo. “Në thelb, ose mbylle gojën ose do të ndëshkohesh.”
“Ju lutem, tregojani Scott Borchetta-s dhe Scooter Braun se si ndiheni për këtë. Scooter gjithashtu menaxhon disa artistë, të cilët me të vërtetë besoj se kujdesen për punën e artistëve të tjerë.”
Shën.red. Scooter Braun menaxhon disa nga artistët më të njohur, me në krye Ariana Grande-n dhe Justin Bieber.
“Thjesht dua të jem në gjendje të performoj muzikën time. Jam përpjekur ta zgjidh këtë përmes ekipit tim privatisht, por nuk kam arritur ta zgjidh. Tani, performanca ime në AMA dhe dokumentari i Netflix që pritet të dalë në nëntor të 2020-s janë në pikëpyetje. Ju dua dhe e pashë të arsyeshme që ta dinit se ç’po ndodh.”
Artikuj të rekomanduar:
Përplaset Taylor Swift dhe Justin Bieber: "E kalove cakun"
Demi Lovato dhe gruaja e menaxherit të famshëm i kundërvihen Taylor Swift: "Je zënë me të gjithë"