U deshën pak ditë që Fifi të thyente rekordin e këngës më të klikuar në festivalin “Kënga Magjike”. Balada e saj “Marova” numëron për momentin më shumë se 1 milion klikime, duke u bërë kënga më e suksesshme e momentit.
“Me këngën ‘Zhurmë’ na tregove anën tënde të ndjeshme. Pastaj erdhi ‘Psikopatja jote’ dhe mendova se s’ka këngë më të bukur. Por këtë vit u riktheve me një këngë të re dhe na the të gjithëve ‘prisni se nuk marova’,” shkruan dikush në YouTube.
Ndonëse Fifi është e para nga artistët BIG që arriti të thyente rekordin e këngës më të klikuar, suksesi i saj nuk mbaron këtu duke qenë se është momentalisht edhe tekstshkruesja më e suksesshme.
Teksti i “Bosh” i Marjona Metohut, që mban vendin e dytë përsa i përket shikimeve në YouTube, është shkruar nga Fifi. Sigurisht që vlen të përmendet edhe puna e Kledi Bahitit, që u kujdes si për orkestrimin e “Bosh” edhe për “Marova”.
Po kështu, për tekstin e baladës "Frymë", e cila qëndron në vendin e tretë pas "Bosh", Ardit Çuni bashkëpunoi po me Fifin.
Deri tani, Fifi është më e preferuara e publikut.