Social Buzz

Fansat shkojnë në funeralin e babait të YouTuber-it, i kërkojnë foto

Shkruar nga Anabel

23 Nëntor 2019

Fansat shkojnë në funeralin e babait të YouTuber-it, i

Para pak ditësh, YouTuber-i Bretman Rock udhëtoi drejt Filipineve për të përcjellë në banesën e fundit babain e tij. Në Instagram, ai tha se i ati ndërroi jetë pasi kaloi në gjendje kome. Por për fat të keq, në një moment kaq të dhimbshëm, fansat e tij nuk treguan as minimumin e respektit dhe u shfaqën në funeral.

“A ka mundësi të jem i mërzitur një herë të vetme... Jam në Filipine për të varrosur babain tim të ndjerë, mos hajdeni të më kërkoni foto. Erdhën kaq shumë njerëz në funeralin e babait tim dhe filluan të bënin foto të trupit dhe të familjes sime,” shkruan Rock në Twitter. “Nuk e kuptoj pse njerëzit mendojnë se mund të më kërkojnë një foto kur i kam sytë e enjtur nga të qarët. Si mund të vini e të më thoni, ‘Ngushëllime, mund të bëjmë në foto?’”

Diçka e ngjashme ndodhi edhe me Grayson dhe Ethan Dolan, të dy YouTuber-a të njohur, kur babai i tyre u nda nga jeta.

“Nëse jeni fansa të mitë dhe të Grayson-it, ju duam dhe ju vlerësojmë shumë. Mënyra më e mirë për të na mbështetur në këtë moment të vështirë është të MOS shfaqeni në funeralin e babait tonë. Faleminderit dhe lutemi shumë që të respektoni dëshirat tona,” u shpreh Ethan në janar të këtij viti.