Shqipëria

6 thashethemet më dramatike për tërmetin

Shkruar nga Anabel

28 Nëntor 2019

6 thashethemet më dramatike për tërmetin

 “E ka fajin kuçedra”

“Më tha një durrsak që e ka fajin kuçedra,” shkroi dikush në inbox-in e @anabel_hostel. Sipas legjendës urbane, gjatë një dite me shi, kuçedra doli nga deti për t’i shpëtuar rrufeve dhe u ndalua nga tre dragonj që të shkonte më tej. Zona sizmike në Adriatik njihet si “kanali i Kuçedrës” dhe ndodhet afër Gjirit të Lalëzit dhe Kepit të Rodonit.

Nëse do ta kishte fajin kjo kuçedra që nuk e dimë si doli nga përrallat e fëmijëve dhe qëndron në Adriatik e shkakton tërmete, tërmetet nuk do të ndodhnin në zona të tjera. Sipas raportimeve, tërmete me magnitudë të vogël ka pasur edhe në Korçë, Lezhë dhe zona të tjera të Durrësit.

Ndaj ta lëmë kuçedrën te përrallat dhe të mos përhapim informacione të tilla, të cilat jo vetëm që keqinformojnë njerëzit, por shkakojnë panik.

“Ka thënë një shkencëtar serb që e ka fajin Programi i Kërkimeve Aurorale me Frekuencë të Lartë Aktive” (HAARP)”

Bëhet fjalë për shkencëtarin serb Velimir Abramovic, vëllai i Marina Abramovic. Ai është shprehur se programi është përgjegjës për rreshjet e fundit. Studiuesi serb nuk është i vetmi që pretendon se SHBA-ja e përdor këtë program për fatkeqësi natyrore, siç janë uraganet, tornado, përmbytet dhe tërmetet. Ish-lideri i Venezuelës, Hugo Chavez, pretendoi se HAARP ishte përgjegjës për tërmetin e Haitit në 2010.

Në të vërtetë, çfarë është HAARP? Ky program është i financuar nga Forcat Ajrore të SHBA-së, Marina Amerikane dhe Universiteti Alaskës Fairbanks dhe Agjencia e Projekteve Kërkimore të Avancuara. Qëllimi i tij është të analizojë jonosferën dhe të ndërhyjë aty duke modifikuar kushtet atmosferike për komunikimet në radio, mbikqyrje dhe evente të ndryshme. Tashmë, HAARP nuk i përket më ushtrisë amerikane, por universitetit të Alaskës, ndaj natyrshëm lind pyetja: Ç’përfitim ka HAARP nga ne? Ky program ka modifikuar kushtet e motit në zona lufte dhe thatësire, ndaj është e pashpjegueshme se ç’përfitim ka HAARP nga Shqipëria. Edhe në këtë rast, është një thashethem pa bazë.

“E parashikoi Gani Gurguri”

Në një intervistë për Dritare.net, Gani Gurguri u shpreh se në datat 25-27 nëntor do të ketë në Shqipëri një tërmet të fuqishëm. Portale të ndryshme raportuan se “Ganiu e parashikoi tërmetin” duke shkaktuar më tepër panik të qytetarët, duke ulur besimin e tyre ndaj shkencës. Në fakt, nuk dimë të themi nëse kemi të bëjmë me abuzim nga mediat ose me pakujdesi, pasi intervista e Gurgurit për Dritare.net daton në vitin 2016. Ai parashikoi se do të kishte tërmet në 25-27 nëntor 2016. Tërmeti i 26 nëntorit 2019 është thjesht rastësi. Pra, edhe njëherë: tërmetet nuk parashikohen. Tërmetet shkaktohen nga përplasja e pllakave tektonike.

“Ma ka thënë një italian që shirat shkaktuan tërmetin”

Kush është ky italiani? Shkencëtar apo një adoleshent që ka lexuar diçka për shirat dhe tërmetet dhe flet pa bazë? Nuk dihet. Megjithatë po, shkenca e pohon që shirat mund të shkaktojnë tërmet. Por shirat me intensitet të jashtëzakonshëm, jo shira lokalë të periudhës vjeshtë-dimër. Që rreshjet të shkaktojnë tërmet duhet të kemi të bëjmë me uragane të fuqishëm dhe stuhi shkatërruese.

“Janë mbi 100 të vdekur në morg”

Një tjetër thashethem pretendon se në morg janë mbi 100 viktima, por qeveria nuk po e bën të ditur si informacion. Në një kohë kur portalet, televizionet, por edhe banorët e thjeshtë kanë transmetuar live çdo të re nga operacionet e kërkim-shpëtimit, atëherë si është e mundur që u nxorrën 100 trupa pa i parë askush. Pastaj, nëse për disa persona të ngecur nën rrënoja u deshën mbi 10 orë për t’i nxjerrë, atëherë kur dhe si u nxorrën 100 viktima? Po edhe sikur të jenë nxjerrë, ku janë familjarët e këtyre viktimave që nuk raportojnë askund për zhdukjen e tyre?

“Pashë një dritë jeshile në horizont. Ishte bombë.”

Bombë për çfarë? Bombë nga kush? Pse duhet që detyrimisht një dritë jeshile, e cila mund të ketë ardhur nga çfarëdo objekti, të jetë bombë? Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit vërtetoi se kemi të bëjmë me përplasje të pllakave tektonike dhe “mbihipje” të tyre te njëra-tjetrën.

Në mes të prillit të këtij viti, sizmologu i Institutit prof.Edmond Dushi, u shpreh se “Shqipëria po hyn në periudhën e aktivitetit të lartë sizmik”.

Sipas profesorit dhe studimeve të shumta, tërmetet e fuqishëm e godasin Shqipërinë kryesisht çdo 30-40 vite. Përpara tërmetit të 21 shtatorit dhe këtij të fundit më 26 nëntor, lëkundja më e fortë që ka goditur vendin ishte ajo e vitit 1979, me magnitutë 7.0, me qendër Tivarin dhe Ulqinin, i cili shkatërroi dëme të mëdha në Shkodër.

Zona e Ballkanit është e dyta në botë për nga rrezikshmëria e aktivitetit sizmik dhe vendi ynë, përfshirë këtu Greqinë, Malin e Zi, Italinë dhe Turqinë, bën pjesë te vendet ku tërmetet janë të shpeshtë.

Shqipëria ndodhet mes mikropllakave të detit Adriatik e Jon, që përkthehet në rrezikshmëri ndaj tërmeteve, për shkak se gjatë lëvizjes, pllakat godasin njëra-tjetrën dhe shkaktojnë lëkundje. Qytetet që ndodhen pranë vijës ndarëse mes pllakave janë më të rrezikuara nga tërmetet janë, duke përfshirë këtu edhe Durrësin dhe krahinat përreth tij.

Nuk mund t’u vëmë faj njerëzve që frikësohen dhe gjejnë shpjegim te lloj-lloj teorirash, por në një situatë kaotike si kjo e fundit le t’i lëmë konspiracionet për herë tjetër, pasi sot më shumë se kurrë një informacion i gabuar mund të ketë pasoja fatale.

Lexoni edhe:

Stop me panikun! Qetësohuni pak dhe lexoni këtë!